Trupi i Miklovan Danajt, 30-vjeçarit nga Guri i Zi i Shkodrës i cili rezultonte i zhdukur prej muajit maj, dyshohet se është gjetur më 24 gusht në brigjet e Marbellës, Spanjë. Lajmi u bë publik dje nga mediat spanjolle, ndërsa tashmë janë marrë mostra ADN-je nga familjarët për t’u krahasuar me trupin e viktimës.
Burime ekskluzive për JOQ bënë me dije më parë se Danaj, i njohur edhe me nofkën Keli, është rrëmbyer, dhunuar, vrarë, dhe më pas trupi i tij është hedhur në det. Dyshimet për një ekzekutim u shtuan edhe më shumë pas një mesazhi kërcënues që mbërriti në derën e familjarëve, ku shkruhej: “Miklovani ka vdekur, mos e kërkoni.”
Sipas të njëjtave burime, pranë trupit të 30-vjeçarit janë gjetur dy palë dokumente shqiptare, çka ka ngritur më tej dyshime mbi rrethanat e vrasjes. Hetimi aktualisht po zhvillohet nga autoritetet spanjolle dhe fokusohet kryesisht tek pazaret e drogës. Paralelisht, policia shqiptare ka nisur verifikimet në vendin tonë, përmes marrjes në pyetje të familjarëve dhe kontrollit të çdo informacioni që lidhet me aktivitetin e tij.
Po ashtu mësohet se ka nisur edhe verifikim në disa shtete si Itali apo Holandë.