Një situatë e çuditshme dhe abuzive është raportuar nga vizitorët në një nga destinacionet turistike më të vizituara të vendit, në Lumin e Shalës (i njohur si “Tajlanda Shqiptare”).
Sipas denoncimit të mbërritur nga qytetarët në terren, pushuesve u kërkohet të paguajnë 10 mijë lekë të vjetra vetëm sepse qëndrojnë pa çadër në hapësirë publike, në hijen e pemëve në pyll.
Denoncimi i plotë:
“Përshëndetje! Te Lumi i Shalës u marrin lekë turistëve që rrinë pa çadër, në hijen e pemëve. 10 mijë lekë për 1 person duke ndenjur në pyll.”
Sipas pushuesve ky veprim arbitrar pa asnjë bazë ligjore apo faturë tatimore dëmton rëndë imazhin e turizmit në këtë zonë. Ata ngrenë shqetësimin për mungesën e kontrollit nga institucionet përgjegjëse mbi informalitetin dhe gjobëvëniet ndaj pushuesve që zgjedhin natyrën.