Një hotel ka denoncuar rastin e një klienti të huaj, i identifikuar si Husein Kagdi, i cili sipas pronarëve është larguar pa shlyer një detyrim prej 58 eurosh për qëndrimin në apartamente. Sipas denoncimit, klienti ka qëndruar nga data 8 deri më 9 korrik dhe në momentin e largimit ka deklaruar se do të shkonte te bankomati për të tërhequr para dhe për të kryer pagesën.
Pronarët thonë se, duke qenë se ai ishte i shoqëruar nga një fëmijë dhe për të shmangur shqetësimin e tij, e lejuan të largohej në mirëbesim, por klienti nuk është kthyer më. Ata deklarojnë se e kanë kontaktuar disa herë për të kryer pagesën përmes transfertës bankare, por pa rezultat. Sipas tyre, disponojnë prova për ngjarjen, përfshirë pamje nga kamerat e sigurisë, dokumentacionin e rezervimit dhe komunikimet pas largimit, ndërsa publikimi i rastit synon të paralajmërojë edhe biznese të tjera për situata të ngjashme.


