
Në prag të sezonit veror, vendi ka nevojë për mbi 25 mijë punonjës dhe shifra rrezikon të zgjerohet. Një ndër arsyet kryesore është emigrimi i të rinjve për shkak të pagave të ulëta që ata kanë.
Mungesa e tyre rrezikon sezonin veror të këtij viti. Nga Unioni Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa është shprehur se sytë e këtyre të rinjve këtë sezon janë drejtuar nga Greqia. Ata e shohin këtë shtet si një mundësi punësimi , për të ardhura më të mira për ta.
“Greqia po kërkon punonjës, ka nxjerrë dhe një rregull që i paguan kamerierët me 1000 euro, i paguan dhe sigurimet gjatë kohës së punës dhe pajisen me leje provizore, leje qëndrimi. Dhe kjo ndodh vetëm me një kontratë pune dhe është joshëse për të lënë Shqipërinë”, u shpreh ai.
Turizmi në Shqipëri është lënë në dorë të fatit.
Në pamundësi për të mbajtur punonjësit me gjithë rritjen e pagave, sipërmarrësit shqiptarë në fushën e turizmit po i hedhin sytë drejt Azisë.