Turizmi në Shqipëri/ Flet ekspertja: Ku janë vendet e lira dhe ato të shtrenjta në Jug...

Turizmi në Shqipëri/ Flet ekspertja: Ku janë…

Shqipëria po kalon një periudhë të vështirë krize ekonomike, stimuluar nga tërmeti i vitit të kaluar dhe nga pandemia e koronavirusit që nisi në mars të këtij viti.

Por në vendin tonë, dy sektorë që “nuk duan t’ia dinë” dhe nuk ulin asnjëherë çmimet edhe në kohë krize janë ndërtimi dhe operatorët turistik.

Ne po ndalemi te këta të fundit, pasi ata këto muaj i kemi parë vetëm të qahen për mungesë pushuesish.

Por në shumë zona turistike të vendit, e veçanërisht në Rivierën Joniane, çmimet edhe këtë verë kanë mbetur stratosferikisht të lartë.

Ekspertja e Turizmit, Blerina Ago, duke folur në një lidhje Live me “Fax-News”, foli për gjendjen e këtij sektori në vendin tonë, pas pandemisë së Covid-19.

Ago tha se, ka pasur një ulje të ndjeshme të numrit të turistëve, ndërsa shtoi se, po pëlqehen ndjeshëm dhe zonat malore, përveç bregdetit.

“Industria e Turizmit do të vazhdojë të vuajë dhe të paktën dy vitet e ardhshme, jemi në një skenar pesimist.

Janë shkurtuar vende pune, ka mungesë likuiditeti, dhe mungesë të ardhurash për të shlyer taksat dhe detyrimet.

Kishim pritshmëri më të mira, por komplikimi i situatave në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit, bëri që të kemi një numër shumë të ulët.

E vetmja shpresë janë turistët vendas, të cilët po zbulojnë pak më shumë për vendin e tyre, dhe vlerat.

Këtë vit ka pasur një shtim të numrit të turistëve në zonat malore, veçanërisht zona e alpeve, por edhe në Vermosh, Gjirokastër, nëpër agro-turizme, si Berati apo Shkodra.

Shohim çdo ditë komente të tilla se, sa e bukur është Shqipëria, pjesa e bregdetit është gjithnjë e pëlqyer.

Unë mendoj që të shkosh në mal kushton më pak, por është e vështirë që të dallohet.

Ka një ulje të çmimeve, sa i takon vendeve turistike, nëse do vijojë që të ulet më tepër kjo do të ndikonte direkt në uljen e cilësisë”,- u shpreh Ago.

Sipas saj, një nga destinacionet më të lira në Jug është Borshi, ndërkohë që dhe në Vlorë mund të ketë zgjedhje të ndryshme, që ofrojnë dhe çmime të mira.

Ago tha se, qytetarët duhet të kërkojnë menu, sa herë që ulen në restorante, pasi sipas saj, më pas mund të përballen me çmime më të larta sesa mundësitë e tyre.

Ago tha se, në Dhërmi, dhe në të gjithë hotelet me 5 yje, padyshim që çmimet do të jenë më të shtrenjta, dhe secili duhet të zgjedhë sipas xhepit të tij.

/Burimi: Fax News/ Përshtati: Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit