Tymi i fabrikës “Edil Centro” makth për banorët e Laprakës, ndotja e ajrit alarmante

Tymi i fabrikës “Edil Centro” makth për…

Tymi që del nga oxhaku i fabrikës “Edil Centro” është kthyer në shqetësim për banorët e zonës së Laprakës, pas Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë. Qytetarët denoncojnë ndotjen e vazhdueshme të ajrit, duke treguar se gazrat dhe tymrat që çlirohen nga furrat e fabrikës përhapen deri në zonat e banuara, duke cenuar cilësinë e jetesës dhe duke rritur shqetësimet për shëndetin e komunitetit.

Në denoncimin e tyre, banorët ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon impianti, duke theksuar se oxhaku është shumë i ulët dhe nuk mundëson largimin e tymit nga zona e banuar. Ata dyshojnë gjithashtu se filtrat e përdorur për trajtimin e shkarkimeve nuk janë ndërruar prej një kohe të gjatë, ndërsa pretendojnë se fabrika vijon aktivitetin pa respektuar standardet e kërkuara mjedisore.

Sipas qytetarëve, ndotja është kthyer në një problem të përditshëm, që rëndon veçanërisht mbi fëmijët dhe të moshuarit.

Ata thonë se nuk është hera e parë që e ngrenë këtë shqetësim pranë institucioneve, por ankesat e mëparshme nuk kanë sjellë asnjë zgjidhje konkrete.

Banorët kërkojnë tashmë një ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, kontrolle në ambientet e fabrikës dhe matje të emetimeve në ajër, për të verifikuar nëse gazrat e shkarkuar janë brenda normave të lejuara. Në thelb, ata kërkojnë të dinë nëse aktiviteti industrial që zhvillohet vetëm pak qindra metra larg banesave të tyre po ushtrohet në përputhje me kërkesat mjedisore.

Fabrika operon në këtë zonë prej vitit 1996

“Edil Centro” ushtron aktivitetin që prej vitit 1996 në ambientet e një ish-fabrike betoni, e cila funksiononte gjatë periudhës së komunizmit. Impianti ndodhet rreth 500 metra pas Spitalit Universitar të Traumës, në Tiranë.

Sipas një drafti të vitit 2016 për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, të depozituar pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), fabrika prodhon nëntë lloje të ndryshme tullash për mure dhe soleta.

Në këtë dokument bëhet e ditur se furrat e prodhimit funksionojnë me qymyr dhe solar, ndërsa tymrat aspirohen dhe shkarkohen në atmosferë përmes oxhakut. Në të njëjtin draft, kompania deklaronte se emetimet e gazrave ishin “brenda normave të lejuara”, duke përmendur si masa për kufizimin e ndikimit në mjedis kontrollin periodik dhe kolaudimin e mjeteve.

Dokumenti përfshinte gjithashtu parashikime për rehabilitimin e territorit dhe krijimin e hapësirave të përshtatshme për mbjelljen e pemëve dhe luleve. Por, sipas banorëve, këto masa nuk janë reflektuar në hapësirat përreth fabrikës, pasi gjelbërimi është kufizuar kryesisht në ambientet e administratës.

Banorët kërkojnë verifikimin e emetimeve

Vendndodhja e fabrikës pranë Lumit të Tiranës, në një zonë urbane që përballet prej kohësh me problematika të ndotjes, shton shqetësimin e komunitetit për ndikimin e aktivitetit industrial në mjedis.

Përballë denoncimeve të banorëve dhe deklarimeve të kompanisë në dokumentacionin mjedisor të vitit 2016, mbetet i domosdoshëm verifikimi në terren i situatës aktuale. Funksionimi i filtrave, përbërja e gazrave të shkarkuar dhe përputhshmëria e emetimeve me normat mjedisore janë çështjet për të cilat banorët kërkojnë përgjigje nga institucionet.

Ata kërkojnë që shqetësimi i tyre të mos mbetet vetëm në kuadrin e një tjetër denoncimi, por të pasohet nga kontrolle konkrete dhe transparencë mbi ndikimin që fabrika ka në ajrin që thithin çdo ditë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit