U aksidentuan për vdekje me betonieren, si u pajisën me patentë brenda muajit dy shtetasit egjiptianë?

U aksidentuan për vdekje me betonieren, si…

Një aksident tragjik i ndodhur pasditen e së mërkurës në periferi të Tiranës i mori jetën dy shtetasve egjiptianë, të moshave 30 dhe 44 vjeç, të cilët punonin për kompaninë “AlbaBeton”. Nga përplasja mbeti i plagosur edhe drejtuesi i një automjeti tip “Audi”, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

Sipas të dhënave zyrtare, drejtuesi i betonieres humbi jetën në vendin e aksidentit, ndërsa pasagjeri ndërroi jetë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.

Burime nga grupi hetimor thanë  se dy viktimat, Mohamed Lotf, 30 vjeç, dhe Mohamed Ali, 44 vjeç, kishin mbërritur në Shqipëri rreth një muaj më parë nga Egjipti. Ata ishin pajisur me vizë pune dhe leje qëndrimi njëvjeçare, ndërsa dokumentacioni i tyre rezulton të ketë qenë i rregullt.

Nga verifikimet paraprake rezulton se Mohamed Lotf dispononte leje drejtimi për kamion, ndërsa Mohamed Ali ishte i punësuar si pompist. Megjithatë, rasti ka ngritur një sërë pikëpyetjesh që pritet të marrin përgjigje nga hetimet.

Mes çështjeve që kërkojnë sqarim janë nëse drejtuesi i betonieres kishte kategorinë e duhur të patentës për mjetin që drejtonte, nëse leja e drejtimit ishte e vlefshme për këtë kategori automjeti, si dhe nëse të dy punonjësit ishin të angazhuar në funksionet për të cilat ishin rekrutuar dhe pajisur me dokumentacion.

Dy viktimat ishin të punësuar pranë kompanisë “AlbaBeton”, e cila operon në sektorin e ndërtimit. Deri më tani nuk ka pasur një reagim publik nga kompania lidhur me aksidentin apo rrethanat në të cilat punonin dy shtetasit egjiptianë.

Sipas të dhënave të publikuara në databazën “Open Corporates”, në strukturën e aksionerëve të “AlbaBeton” figurojnë Artan Dulaku, Adrian Dulaku, Genc Dulaku dhe Erjon Harizi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit