U akuzua se ia jepte të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze, reagon TikTok

U akuzua se ia jepte të dhënat…

I akuzuar nga disa vende se ndan informacione konfidenciale të përdoruesve te qeveria kineze, përfaqësues të aplikacionit të famshëm TikTok janë detyruar të përgjigjen publikisht.

Theo Bertram, përfaqësues i rrjetit social kinez për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, ka mohuar ta ketë bërë diçka të tillë.

Ai shtoi se, do të refuzojë çdo kërkesë për dorëzim të dhënash.

“Pretendimet që ne jemi në njëfarë mënyre nën ndikimin e qeverisë kineze janë totalisht të rreme”,- është shprehur ai për BBC.

TikTok ka qenë nën presionin e Uashingtonit për sa i përket të ardhmes së aplikacionit në SHBA.

Kjo pasi Amerika po mendon ta bllokojë aplikacionin dhe mund ta lejojë atë vetëm nëse shkëputet nga Kina dhe bëhet një kompani amerikane.

Sekretari i SHBA-ve, Mike Pompeo e akuzoi TikTok-un se po rrezikon përdoruesit amerikanë duke ia kaluar të dhënat e tyre private qeverisë komuniste kineze.

Theo Bertram iu përgjigj edhe akuzave që thonë se, rrjeti social favorizon pedofilët, duke u shprehur se TikTok i ka ndryshuar politikat më shumë se një vit më parë.

Sipas tij TikTok ka zero tolerancë për sjellje të tilla.

Aplikacioni kinez TikTok është bërë shumë popullor dhe është shkarkuar rreth 2 miliardë herë, me numrin më të lartë të përdoruesve në Indi dhe SHBA.

India e bllokoi TikTok-un dhe disa aplikacione të tjera kineze, pasi e konsideroi rrezik për privatësinë e qytetarëve indianë.

Ndërkohë pritet një vendim edhe nga Amerika./Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit