Thomas Ceccon, fituesi i medaljes së artë olimpike është parë duke fjetur në një park të Parisit, pasi u ankua për kushtet në fshatin Olimpik.
Notari italian, i cili fitoi dy medalje këtë javë, u shpreh i pakënaqur për akomodimin ku ndodhej ai së bashku me sportistët e tij, duke e cilësuar “nën standard”.
“Nuk ka ajër të kondicionuar në fshat. Është vapë. Edhe ushqimi është i keq. Prandaj largohen shumë sportistë. Nuk e thonë për t’u justifikuar, është e vërtetë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm”, u shpreh ai.
Në fotografi duket i strukur në një peshqir të bardhë nën hijen e pemës, pranë një stoli, duke krijuar një kontrast të fortë me pritshmërinë për banesat Olimpike.
Federata Italiane e Notit tha se pamja e Ceccon-it duke fjetur nuk lidhej me komentet e tij të mëparshme për fshatin Olimpik , por incidenti nxjerr në dukje kushtet e këqija të jetesës me të cilat përballen atletët.