Dy javë pas arratisjes së 49-vjeçarit Daut Laze nga burgu i Shënkollit, policia ende nuk ka mundur ta gjejë, pavarësisht se ka ofruar dhe një shpërblim monetar për çdo person që ofron informacione.
Sipas hetimeve dhe një ekspertize të kryer nga Policia, është zbuluar se si Laze arriti të arratisej nga burgu. Atij iu deshën më pak se 40 minuta për të dalë në ambientet e jashtme dhe për të kapërcyer gardhin e sigurisë.
Mëngjesin e 4 shkurtit, Laze ndodhej në sektorin e të sëmurëve, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ai kishte hyrë në dhomën e pacientëve më 31 janar, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe nuk e humbi kohën për të planifikuar arratisjen.
Në natën e arratisjes, në dhomë ishin dhe dy të paraburgosur të tjerë. Rreth orës 03:45 të mëngjesit, Laze vendosi të arratisej. Ai arriti të largohej pa vështirësi, pasi dera e qelisë nuk ishte mbyllur me çelës, por vetëm me shul. Për të kaluar rrethimin, ai përdori një palë tuta sportive, të cilat më pas u gjetën nga policia.
Autoritetet kanë realizuar kontrolle në disa shtëpi dhe objekte fetare, por ende nuk ka mundur ta lokalizojë. Shpërblimi prej 10 mijë eurosh për informacionet që mund të çojnë në gjetjen e tij është ende në fuqi. Po ashtu, është vënë në dispozicion numri i telefonit 068 20 02 961, ku mund të jepen informacione për vendndodhjen e 49-vjeçarit.