U arrestua në Tiranë për terrorizëm, Gjermania kërkon ekstradimin e pjesëtarit të ISIS

U arrestua në Tiranë për terrorizëm, Gjermania…

Gjermania kërkon ekstradimin e Komron Zukurov, shtetasin nga Taxhikistani që dyshohet për përfshirje në një organizatën terroriste ISIS.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës do të zhvillohet më datë 12 qershor, në Gjykatën e Tiranës.

Në datën 2 maj, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 24-vjeçarin Komron Zukhurov, i dyshuar si anëtar i një celule terroriste të ISIS në Gjermani. Zukhurov, i njohur edhe me emrat Brugeman Komron dhe Komron Zuhurov, u arrestua në Tiranë, në zbatim të një urdhër-arresti të një gjykate federale gjermane. 24-vjeçari u përfaqësua në seancë nga ish-deputeti Asllan Dogjani, në banesën e të cilit ka qëndruar në Shqipëri, për shkak të lidhjes familjare me bashkëshorten e tij.

Policia tha se Zukhurov u arrestua gjatë operacionit “Vizitori”, por avokati pretendon të kundërtën. Përmes avokatit, i akuzuari për “terrorizëm” ka dhënë pëlqim të ekstradohet drejt Gjermanisë, por me një kusht, që Gjermania, në përfundim të procesit hetimor apo gjyqësor, të mos e ekstradojë në Taxhikistan. “Atje është një shtet diktatorial dhe i rrezikohet jeta”, tha Dogjani.

Avokati paraqiti disa foto para gjykatës, përmes të cilave kërkoi të provojë se në një ekstradim të mëparshëm në Taxhikistan klienti i tij ishte torturuar me elektroshok.

Sipas prokurorisë, Zukhurov dhe 5 persona të tjerë kanë ngritur një celulë terroriste në Republikën Federale të Gjermanisë me qëllim që të kryenin “xhihad” në emër të ISIS, duke kryer sulme me armë kundër “jo besimtarëve” gjermanë, si edhe sulme të tjera brenda dhe jashtë këtij vendi, duke përdorur armë luftarake dhe eksplozivë. Zukhurov do të qëndrojë në qeli në pritje të një kërkese për ekstradim nga pala gjermane.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit