U arrestua për korrupsion, Rama nuk e shkarkon dot kryebashkiakun Fatos Tushën

U arrestua për korrupsion, Rama nuk e…

Ditën e sotme SPAK ka arrestuar Kryetarin e Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe. Kryetari u akuzua për korrupsion së bashku me 10 persona të tjerë mes tyre zyrtarë dhe biznesmenë.

Tre prej tyre janë zyrtarë të bashkisë Lushnje, Ndërmarrjes së Pasurive Publike dhe Ujësjellësit që është në varësi të bashkisë.

Një tender me vlerë 24 milionë lekë është shkelja që ka çuar sot pas hekurave kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe.

Mirëpo arrestimi i Tushes nuk sjell shkarkimin e tij të menjëhershëm, pasi për të ndodhur kjo gjë duhet që të ketë një vendim të formës së prerë të Gjykatës, siç e parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore.

“Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata”, lexohet në ligj.

Varianti i dytë për ndërprerjen e mandatit është propozimi për shkarkim nga Këshilli Bashkiak, për të cilin duhet të pritet të paktën tre muaj: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”. 

E vetmja mënyrë që Fatos Tushe të largohet nga drejtimi i Bashkisë Lushnjë është që ai të japë dorëheqjen. Pra nëse Fatos Tushe nuk dëshiron të lërë mandatin e kryetarit, atëherë ai do të vijojë detyrën nga burgu.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit