
Roberto Papçi, ish-dhëndri i Pal Kolës, rojës së sigurisë që mbeti i vrarë në sulmin që iu bë Top Channel u arrestua dje bashkë me të ndaluarin tjetër, Agustin Tonaj, si të dyshuar kryesor në këtë ngjarje. Të dy ata kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen. Papçi u shpreh se “nuk kam lidhje fare me të”. Mësohet se dyshja janë marrë në pyetje për orë me radhë pas ndalimit të tyre në Vlorë.
Të dy ata u ndaluan një ditë më parë në Vlorë, pasi ishin pikasur nga kamerat e sigurisë teksa hidhnin diçka në hyrje të Vlorës dhe policia, me dyshimet se bëhej fjalë për armë zjarri, i ka shoqëruar në komisariat për t’i marrë në pyetje. Pikërisht gjatë procesit, blutë e Vlorës kanë kuptuar se njëri prej të ndaluarve ishte ish-dhëndri i Kolës.
Por, sërish nuk janë tërhequr pasi janë vënë në dijeni të problemeve mes dy familjeve. Roberto Papçi, dy vite më parë është divorcuar nga vajza e Kolës dhe çifti kanë pasur konflikte për ndarjen dhe kujdestarinë e fëmijëve.
Papçit dhe Tonajt u është bërë testi i faktorëve plotësues, me qëllim gjetjen e grimcave të barutit të djegur në duar dhe rrobat e tyre. Po ashtu u janë marrë edhe shenjat e gishtave, ndaj priten përgjigje më konkrete lidhur me rolin e tyre në këtë ngjarje, pas përfundimit të analizave.