U dëmtua nga freza, 5-vjeçari vijon të jetë në spital

U dëmtua nga freza, 5-vjeçari vijon të…

Një fëmijë 5-vjeçar mbeti i lënduar nga freza pasditen e të martës (23 janar 2024) në fshatin Llakatund të Vlorës, teksa iu afrua babait të tij i cili ishte duke punuar tokën.

Ky i fundit nuk e dalloi që djali i tij ishte afruar, e për pasojë i mituri u dëmtua nga prerjet e frezës duke marrë fraktura të rënda në kokë, trup dhe gjymtyrë. I mituri fillimisht u dërgua për kurim në spitalin e Vlorës, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore u nis për kurim më të specializuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

5-vjeçari përveç frakturave trupore ka pasur dhe hemorragji të brendshme, çka e ka vështirësuar dhe më shumë gjendjen e tij shëndetësore. Prindërit e të miturit bënë thirrje paraditen e sotme për gjak, pasi spitali i Traumës kishte mungesa!

Fatmirësisht kërkesa e tyre është plotësuar, dhe shumë qytetarë janë treguar të gatshëm që të dhurojnë gjak për shpëtimin e të miturit. Ky i fundit vijon ende të jetë nën kujdesin e mjekëve, dhe përsëri në gjendje të rënduar shëndetësore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit