U ‘dogjën’ nga Vettingu, SPAK godet pronat e ish-gjyqtarëve!

U ‘dogjën’ nga Vettingu, SPAK godet pronat…

Nis goditja ndaj magjistratëve! Prokuroria e Posaçme, e njohur ndryshe si SPAK ka sekuestruar pasurinë e tre ish-gjyqtarëve të shkakuar nga procesi i Vettingut disa kohë më parë. Fatos Lulo, Bashkim Dedja dhe Shkëlzen Selimi janë shkarkuar për deklarim të rremë të pasurive, ndërsa tanimë SPAK ka kërkuar sekuestro, ndërsa GJKKO ka sekuestruar pasuritë e tyre deri në përfundimin e përballjes së tyre me drejtësinë. 

Ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, i është vendosur sekuestro mbi një dyqan 172 m2, i ndodhur në rrugën e Durrësit në Tiranë. Po ashtu sekuestro është vendosur edhe mbi pronat e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Në pronësi të tij është një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.

Më i “pasuri” ndër të tre, rezulton ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, të cilit i është vendosur në sekuestro: (50%) e një trualli 432 m2 dhe 32.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi në Lungomare; një tjetër truall me 2400 m është sekuestruar në fshatin Jonufër. Po ashtu i është sekuestruar 55% e truallit me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, pronë në rrugën Transballkanike. 

NJOFTIM PËR SHTYP:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 7.5.2020 regjistroi procedimin penal nr.137 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal. Duke qënë se shtetasit Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë hetuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257a/a/2 të Kodit Penal, dhe për këtë arsye në bazë të nenit 3/1, gërma (d), të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji. Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit