“Mirëmbrëma, përshëndetje, unë jam Roberto Mollo. Kam pasur hajdutë në shtëpinë time, u mbrojta… njëri është i vdekur.”
Kjo është biseda e transmetuar nga mediat italiane (Tg1), e kryer në orën 02:17 të mëngjesit të natës mes 19 dhe 20 shtatorit, ku 35-vjeçari Roberto Mollo njoftoi policinë pasi qëlloi mbi një bandë grabitësish në shtëpinë e tij në Baldissero d’Alba (Cuneo).
Gjatë përleshjes, Mollo qëlloi 13 herë nga ballkoni i katit të parë, prej nga një distancë prej rreth 30 metrash, ku një prej plumbave kapën për mort 36-vjeçarin shqiptar Gjovalin Lasri.
“E qëllova sepse u frikësova”
Në audio-përgjimin e bërë publik, shoferi i kamionit shfaqet i tronditur përpara operatorit të urgjencës: “Isha i frikësuar, jam i dëshpëruar. Po më vidhnin në shtëpinë time,” dëgjohet të thotë ai.
Më pas, kur telefonata kalon te karabinierët, ai këmbëngul për vetëmbrojtje: “Jam i armatosur, u mbrojta. Tani ka një person në tokë, nuk e di nëse është i vdekur. Po, e qëllova… e qëllova sepse u frikësova.”
Detajet e ngjarjes dhe profilizimi i grabitësve
Trupi i 36-vjeçarit Gjovalin Lasri u gjet pranë daljes nga oborri i shtëpisë. Ai mbante me vete një maskë, doreza dhe një elektrik dore, ndërsa në xhepa iu gjetën një kaçavidë — me të cilën dyshohet se u thye dera e shtëpisë — si dhe 2,000 euro cash, të cilat dyshohet se rrihnin nga grabitje të tjera të kryera po atë natë.
Hetuesit italianë dyshojnë se autorët e vjedhjes ishin “hajdutë udhëtues”, të cilët pikasin një zonë të caktuar dhe realizojnë disa goditje brenda një mbrëmjeje. Viktima kishte udhëtuar nga Torino drejt Cuneos, ndërsa policia vijon kërkimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë që mundën të arratiseshin.