Trupi i pajetë i Miklovan Dakajt, i shpallur i zhdukur prej kohësh, u gjet ditën e djeshme nga autoritetet spanjolle në qytetin turistik të Marbellës. Pas konfirmimit të identitetit të viktimës, hetimet sollën në vëmendje personin e fundit që ishte parë me të: Juxhin Drazhin, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Juxhin Drazhi akuzohet si anëtar i bandës së Ervis Doçit, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, dhe ishte i kërkuar nga GJKKO për një sërë veprash penale, përfshirë “Trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrjen në organizatë kriminale”. Ai u arrestua nga Garda Civile e Malagas në një vilë luksoze në Almuñécar, ku jetonte në fshehtësi të plotë dhe përdorte dokumente të falsifikuara për të shmangur ndjekjen ligjore. Autoritetet zbuluan se ai kishte ndihmë nga bashkëpunëtorët e tij, që i siguronin gjithçka pa qenë nevoja të dilte nga prona.
Gjatë operacionit të arrestimit, Drazhi tentoi të arratisej përmes një shpat mali, por u kap nga forcat policore që kishin rrethuar zonën. Gjatë kontrollit të vilës dhe ambientit përreth, u sekuestruan dokumente të rreme, sende luksi, si dhe një armë zjarri me dy karikatorë, trembëdhjetë fishekë dhe një silenciator. Aktualisht, autoritetet spanjolle po bashkëpunojnë me drejtësinë shqiptare për procedurat e ekstradimit të Drazhit drejt Shqipërisë.