U kap duke shpërndarë kokainë vetëm tre ditë pas mbërritjes, burg për të riun shqiptar në Britani

U kap duke shpërndarë kokainë vetëm tre…

Një shtetas shqiptar është dënuar me 29 muaj burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u kap duke shpërndarë kokainë në qytetin e Scarborough, vetëm tre ditë pasi kishte mbërritur në banesën ku operonte rrjeti i drogës.

25-vjeçari Florian Gjuni u arrestua pasi operatorët e kamerave të sigurisë sinjalizuan policinë për lëvizjet e tij të dyshimta. Oficerët e ndoqën dhe e kapën teksa lëvizte me biçikletë për të shpërndarë doza kokaine, në kuadër të një rrjeti që drejtohej nga një person i identifikuar vetëm me pseudonimin “AAA”, raportojnë mediat britanke.

Policia deklaroi se e pa Gjunin duke kryer një shkëmbim të dyshuar droge. Gjatë arrestimit, ai tentoi të fshihte disa sende, ndërsa në kontroll iu gjetën kokainë dhe para në dorë.

Kontrollet në banesën ku ai qëndronte në St Thomas Street çuan në sekuestrimin e mbi 800 paundëve cash, si edhe një qese të madhe me dhjetëra doza të vogla kokaine të gatshme për shitje.

Sipas dëshmisë së tij, Gjuni kishte mbërritur në Scarborough vetëm tre ditë para arrestimit. Ai u tha hetuesve se kishte ardhur me 300 paund të tijat për shpenzime personale, ndërsa të gjitha të ardhurat nga shitja e drogës ia dorëzonte në fund të ditës personit të njohur si “AAA”, duke pretenduar se nuk paguhej prej tij.

Gjuni pranoi fajësinë për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjeje. Avokati i tij deklaroi se shqiptari kishte punuar fillimisht në sektorin e ndërtimit dhe se ndodhej në Britani në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, u tha se ai nuk kishte pasur më parë probleme me drejtësinë, as në Shqipëri dhe as në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjykatësi Sean Morris e dënoi me 29 muaj burg, duke urdhëruar gjithashtu konfiskimin e 854.26 paundëve të sekuestruara gjatë arrestimit dhe kontrollit të banesës. Pas vuajtjes së dënimit, 25-vjeçari do të deportohet nga Mbretëria e Bashkuar.

Policia e North Yorkshire deklaroi se hetimi u përfundua brenda një muaji nga kryerja e veprës penale dhe theksoi se do të vijojë goditjen ndaj rrjeteve të shpërndarjes së drogës në zonë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit