U kap me kokainë, i arrestuari hidhet nga dritarja e Drejtorisë së Policisë

U kap me kokainë, i arrestuari hidhet…

Pesë persona janë arrestuar pasi në automjetin me të cilin lëviznin është gjetur kokainë. Një nga të arrestuarit, është hedhur nga dritarja e Drejtorisë së Policisë së Lezhës pas ndalimit. I plagosuri raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Aksioni

Burime zyrtare bënë me dije këtë të Diel se, strukturat e Policisë në DVP Lezhë dhe të Komisariateve në varësi, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas që qarkullonin në një automjet kishin lëndë narkotike të ndarë në doza gati për ta shitur, kanë organizuar punën dhe në fshatin Tale-Lezhë, kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin Altin Biçaku dhe pasagjerë shtetasit Fatmir Suti, Ervistjan Gjergji, Bongjov Korriku dhe Arsid Stojani është gjetur një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje dhe një peshore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 5 aparate celular.

Në vijim të veprimeve, efektivët bënë arrestimin në personave në automjet: Fatmir Suti, 29 vjeç, Ervistjan Gjergji 23 vjeç, Altin Biçaku, 29 vjeç, Bongjov Korriku 21 vjeç dhe Arsid Stojani 23 vjeç, të gjithë banues në Kurbin.

I arrestuari hidhet nga dritarja e drejtorisë së Policisë

Të njëjtat burime konfirmuan se gjatë kryerjes veprimeve hetimore në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Fatmir Suti ka tentuar të largohet duke u hedhur nga dritarja.

Megjithatë, nuk ia arriti qëllimit.

“Ai ka marrë dëmtime dhe është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, pa probleme për jetën”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa ndaj Sutit është ngritur dhe akuza Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Hetimet e mëtejshme për rastin do ti kryejë prokuroria e Lezhës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit