U kërkua dënimi me vdekje për vrasësin e Mateos, gazetari: Vërrë në ujë, na duhet qeveri pa cuba!

U kërkua dënimi me vdekje për vrasësin…

Enkel Demi:

Vrasja e fëmijës në Fier ka shkaktuar një tollovi ndjenjash dhe emocionesh, ku mbi të gjitha shquhet hakmarrja. Është e kuptueshme që një ndjenjë e këtillë shpage të vijë nga të afërmit e fëmijës, sepse kobi që ata i ka zënë kërkon me ngulm një fund, kërkon një farë zgjidhjeje, sepse gjithkush do donte t’i binte për shkurt.

Por, duke nisur që nga nata e djeshme në shumë faqe me autoritet apo njerëz me shumë zë në opinionin publik po hidhen receta rekomandimesh të tipit: “të varet në litar!”, “plumbin ballit!”, kurse ata më të sjellshmit kërkojnë kthimin e dënimit me vdekje. Njerëzit që kanë qasje në publik, të cilët kanë me qindra-mijëra ndjekës nuk mund ta bëjnë këtë, sepse çelin një shteg për një barbari të dytë, siç është “plumbi del me plumb” apo ndjellja e hakmarrjes dhe vetëgjyqësisë. Këta njerëz, qofshin artistë të njohur, kanë përgjegjësi të veçantë, pasi ndiqen nga qindra-mijëra dhe besohen nga qindra-mijëra. Shumë prej ideve të tyre, qofshin marroke apo të cekëta sa një gisht ujë mund të kthehen në udhërrëfyese për dikë, i cili mund të marrë alltinë dhe të bëjë çudinë, sepse me të vetën po vendos drejtësi.

Madje, kjo gjendje e krijuar u shfrytëzua nga Edi Rama që të bënte atë që di të bëjë më mirë, ta shpërqendrojë vëmendjen dhe ta çojë në një diskutim shterpë të planit të dytë, siç është “dënimi me vdekje” dhe kurkush mos të merret me gjendjen mjerane të parandalimit të krimeve nga policia, vendimet kriminale të gjyqtarëve, poshtërsitë e qeverisë dhe kështu me radhë.

Për ata që nuk e dinë, dënimi me vdekje në Shqipëri është hequr falë një nisme të kryetarit të dikurshëm të Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori. Njeriu që u “kalb” burgjeve të komunistëve ndërmori një aksion të mirëfilltë politik për heqjen e dënimit me vdekje, duke bërë një punë të madhe për demotivimin e vetëgjyqësisë dhe hakmarrjes. Ai besonte se drejtësinë e vendosin vetëm institucionet dhe jo robi. Ai besonte se jetën ta dhuron Zoti dhe vetëm ai ka të drejtë ta marrë. Ai besonte se marrja e hakut është një proces që kurrë nuk mund të vihet nën kontroll.

Dënimi i fundit me vdekje ka qenë ai për vrasësit e Libofshës në mes të Fierit. A mund të na thotë kush se cili u tremb prej tij, përderisa shqiptarët vranë e prenë dhe më tej? Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi tipik, ku mund të shihen “frytet” e dënimit me vdekje. Shtetet që e kanë ende atë nuk kanë një numër më të vogël vrasjesh se shtetet që nuk e kanë. Në një vend si Shqipëria që gjithë-gjithë është sa një lagje e një metropoli amerikan nuk ka nevojë për litar, plumb apo gijotinë. Vend i vogël, dy gisht territor, gjindje e pakët. Nuk ka asnjë arsye pse mos të jetojë e tërë Shqipëria në qetësi sikur me qenë Islandë. Por çfarë na duhet?

Nëse do të kishim një polici që nuk komandohet nga banditët, nëse do të kishim një polici që shefat nuk trafikojnë drogë dhe porosisin vrasje, kjo do të na duhej dhe do të na kthente rendin.

Nëse do të kishim një sistem gjyqësor që do të jepte drejtësi dhe nuk do të ndëshkonte vetëm “pemëthymin”, kjo do të na duhej dhe do na kthente paqen.

Nëse do të kishim një qeveri pa cuba, pa dallkaukë, pa kriminelë, pa gjakpirës, dhunues fëmijësh, grash e burrash, kjo të na duhej dhe do të na falte prosperitet.

Asgjë nga këto nuk kemi. Kemi vetëm këngëtarë që kërkojnë publikisht kthimin e dënimit me vdekje. Pra, kemi një vërrë në ujë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit