Tensionet mes Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Tifozëve Kuq e Zi duket se nuk janë fashitur, madje pas ndeshjes me Anglinë ato janë përshkallëzuar më tej. Në atë takim, një pankartë gjigante me foton e presidentit Armand Duka, e shënuar me një vizë të kuqe mbi fytyrën e tij, u shfaq në tribunë një mesazh i qartë i revoltës së tifozëve ndaj kreut të federatës.
Edhe përballja e ardhshme me Serbinë, që pritet të zhvillohet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare”, po shoqërohet me polemika të forta. Pavarësisht se interesimi për këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm mbi 200 mijë kërkesa për bileta shumë tifozë po përballen me vështirësi serioze për të siguruar një vend në stadium.
Ndërkohë, një nga mungesat më të ndjeshme në këtë ndeshje do të jetë ajo e grupimit më besnik të tifozëve shqiptarë, Tifozët Kuq e Zi (TKZ), të cilët kanë konfirmuar bojkotin. Arsyeja? Përplasjet e fundit me FSHF-në, që kulmuan pas daljes hapur të TKZ-së kundër bashkëorganizimit të Kampionatit Europian U-21 me Serbinë për vitin 2027. Federata nuk i siguron më bileta këtij grupimi, duke e përjashtuar praktikisht nga organizimi. Të ndeshur me këtë situatë TKZ kanë reaguar në faqen e tyre zyrtare dhe gjithashtu nuk kanë kursyer as faqet e federatës
Në një kohë kur futbolli duhet të bashkojë dhe të ndezë zemrat, përplasjet mes FSHF-së dhe Tifozëve Kuq e Zi po lënë pas një shije të hidhur. Në fushë mund të luhet për krenari, por në tribuna po luhet një tjetër betejë ajo për zërin, përfaqësimin dhe respektin.