Ditën e djeshme, JOQ Albania publikoi apelin e një familjeje nga Tirana, e cila iu drejtua qytetarëve për ndihmë në gjetjen e 14-vjeçarit Sokol Çitozi, me të cilin kishin humbur kontaktet që prej paradites dhe nuk kishin informacion për vendndodhjen e tij.
Pak orë pas publikimit të apelit, vetë 14-vjeçari ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania për të sqaruar situatën. Ai ka bërë të ditur se është mirë dhe se nuk i ka ndodhur asgjë, por kishte vendosur të largohej nga shtëpia pas disa konflikteve familjare.
“Jam mirë, thjesht kam ikur nga shtëpia. Familja është në dijeni. Për momentin po rri te halla. Ua kam thënë edhe mamit, edhe babit”, është shprehur Sokol.
Ai ka treguar se arsyeja e largimit ka qenë dëshira për të qëndruar larg tensioneve familjare:
“Ika nga shtëpia, thjesht nuk doja të kisha më punë me asnjërin, as me babin, as me mamin, për disa zënka familjare”.
Pas këtij komunikimi, rezulton se 14-vjeçari ndodhet i sigurt dhe familja është informuar për gjendjen e tij.