U ngjitën 443 metra mbi tokë për një propozim martese, lirohet çifti rus pas arrestimit

U ngjitën 443 metra mbi tokë për…

Çifti rus që u ngjit në mënyrë të paligjshme në majën e Empire State Building në Nju Jork për të realizuar një propozim martese është liruar pa garanci, pasi doli para gjykatës në SHBA.

Angela Nikolau, 33 vjeç, dhe Ivan Kuznetsov, 32 vjeç, përballen me një sërë akuzash, mes tyre hyrje e paligjshme, rrezikim i jetës së të tjerëve, dëmtim i pronës, prishje e rendit publik dhe posedim i mjeteve që dyshohet se u përdorën për të hyrë në zonat e ndaluara të ndërtesës.

Sipas autoriteteve amerikane, dyshja arriti të ngjitej deri në majën 443 metra të kullës ikonike, ku shpalosi një pankartë me mesazh paqeje dhe realizoi një propozim martese, përpara se të arrestohej nga policia.

Hetimet po përqendrohen edhe te mënyra se si çifti arriti të anashkalonte masat e sigurisë dhe të hynte në katin e 104-t, një zonë me akses të kufizuar që të çon drejt antenës së ndërtesës. Dokumentet gjyqësore bëjnë të ditur se policia gjeti një bravë të thyer në derën e sigurisë, ndërsa ekipet e emergjencës u detyruan të çaktivizonin përkohësisht antenën për të zhvilluar operacionin e shpëtimit në kushte të sigurta.

Forcat speciale të policisë pritën rreth 30 minuta deri në fikjen e antenës dhe më pas u ngjitën qindra metra mbi tokë, duke i ndaluar dy të rinjtë gjatë zbritjes.

Nikolau dhe Kuznetsov janë të njohur në rrjetet sociale për ngjitjet e rrezikshme në maja ndërtesash në vende të ndryshme të botës. Historia e tyre është pasqyruar edhe në dokumentarin “Skywalkers: A Love Story”, i cili ndjek aventurat e tyre në ndërtesa shumëkatëshe.

Menaxhmenti i Empire State Building e cilësoi incidentin si një ngjitje të paautorizuar dhe rikujtoi se vizitorët kanë mundësi të organizojnë propozime martese në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt në platformën panoramike të ndërtesës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit