Janë zbardhur detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë në Itali, ku 45-vjeçari shqiptar Minako Manxhari qëlloi me armë djalin e partneres së tij ukrainase.
Ngjarja e rëndë ndodhi herët në mëngjes në rrugën XXV Aprile, në Novate, një komunë pranë Milanos.
Lidhur me ngjarjen, mediat italiane raportojnë se kur 18-vjeçari ukrainas u qëllua me plumb në qafë, ishte në shoqërinë e tre shokëve të tij, të cilët u larguan me vrap. Mësohet se i riu kishte shkuar bashkë me shokët e tij për t’i dhënë “mësim” njerkut shqiptar, pasi kishte marrë vesh për konfliktin që kishte pasur me nënën e tij.
Pas plagosjes, fqinjët lajmëruan menjëherë ambulancën dhe 18-vjeçari u dërgua në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm.
Ai mori një plumb në anën e djathtë të qafës, duke i dëmtuar një arterie dhe është transportuar në spitalin “Niguarda”, ku gjendja e tij mbetet kritike.
Autori, Minako Manxhari, i cili punonte si shofer kamioni, raportohet se nuk ka pasur precedentë penalë. Në apartamentin ku jetonte çifti u gjet pistoleta “Beretta” e përdorur nga shqiptari, e cila rezulton e vjedhur në vitin 2013 në Sassuolo.
“E kam marrë për mbrojtje më shumë se dhjetë vite më parë nga një maroken”, deklaroi 45-vjeçari, i cili shprehu pendesë dhe shtoi se veproi në gjaknxehtësi e sipër.
Dinamika e ngjarjes:
Një çift që jetonte në Itali, një 45-vjeçar shqiptar dhe një 39-vjeçare ukrainase, debatuan ashpër gjatë një feste dhe e vazhduan atë në shtëpi. Shqiptari goditi dhe ofendoi partneren, gjë që shkaktoi shqetësimin e fëmijëve të saj, përfshirë një vajzë 6-vjeçare dhe djalin e saj 15-vjeçar nga një lidhje e mëparshme. Djali telefonoi vëllain e tij 18-vjeçar, i cili, së bashku me tre miq, vendosi të dhunojë njerkun e tij.
Pas sulmit, shqiptari mori armën dhe qëlloi drejt djalit dhe miqve të tij, duke plagosur 18-vjeçarin. Policia arrestoi shqiptarin, i cili tani përballet me akuzat për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Çifti kishte pasur konflikte të mëparshme, por nuk kishte pasur denoncime në polici.