Një ngjarje tronditëse ka shokuar shtetin Jalisco të Meksikës, ku influencerja 23-vjeçare Valeria Marquez u vra brutalisht gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok, në sallonin e saj të bukurisë. Ajo u qëllua për vdekje me dy plumba në kokë dhe një në gjoks, duke ndërruar jetë në vendngjarje.
Ngjarja nisi kur Valeria mori dhuratë një derrkuc rozë prej pelushi të cilin nisi ta tregonte ndjekësve të saj gjatë livestream-it. Gjatë asaj kohe, ajo shfaqi një ndjesi ankthi, duke shprehur dyshime se diçka e keqe mund të ndodhte. Në biseda me shoqet njëra në telefon dhe tjetra e pranishme në sallon ajo u ndalua të largohej nga aty, pasi iu tha se një “surprizë e madhe” po vinte për të.
Vetëm disa minuta para sulmit fatal, Valeria shprehu shqetësim në transmetim:
“Po sikur të donin të më vrisnin? Apo të më merrnin me vete?” – tha ajo, pa e ditur se frika e saj do të bëhej realitet vetëm pak sekonda më pas. Duke mbajtur në dorë lodrën prej pelushi, ajo u kthye nga kamera, vendosi duart në gjoks dhe bark dhe u qëllua për vdekje, ndërsa shoqja e saj rrëmbeu telefonin dhe mbylli transmetimin.
Sipas autoriteteve, dy persona me motoçikleta hynë në sallon. Njëri prej tyre e pyeti nëse ajo ishte Valeria, dhe pasi mori konfirmimin, e qëlloi me armë zjarri.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime për një lidhje të mundshme që Valeria mund të ketë pasur me një kartel droge, që ajo vetë e përmendte shpesh si kërcënim të mundshëm. Megjithatë, deri tani, prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për të lidhur drejtpërdrejt vrasjen me ndonjë grup kriminal të organizuar dhe krimi është quajtur krim për shkak të gjinisë dhe mendohet se është kryer nga dy vrasës me pagesë.