Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 36-vjeçarit shqiptar, Gjovalin Lazri, i cili humbi jetën gjatë natës në Baldissero d’Alba, në Itali. Sipas mediave italiane, Lazri dyshohet se ishte pjesë e një grupi prej të paktën pesë personash që kishin hyrë në një kantier ndërtimi, me qëllim vjedhjen e materialeve, pajisjeve dhe mjeteve të punës.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, pronari 35-vjeçar i kantierit, Roberto Mollo, ndodhej i vetëm në pronë kur dëgjoi zhurma gjatë natës. Ai dyshohet se ka marrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të personave që ndodheshin jashtë. Pjesëtarët e tjerë të grupit janë larguar, ndërsa Lazri është goditur nga të shtënat dhe, pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të urgjencës, nuk ka mundur të mbijetojë.
Gjovalin Lazri, me origjinë nga Shqipëria, jetonte prej vitesh në Torino së bashku me partneren dhe fëmijën e tyre. Sipas avokates së familjes, Roberta Sisimbro, të afërmit e tij janë të tronditur nga ngjarja. Lazri kishte precedentë të mëparshëm për vepra penale kundër pasurisë, ndërsa sipas avokates po përpiqej të rikthehej në një jetë normale dhe punonte rregullisht, duke administruar një lokal në Corso Taranto në Torino.