
Sheshet e Prishtinës u mbushën këtë të dielë me numër të madh të qytetarëve nga e gjithë Kosova për të marshuar për drejtësi.
Ky marshim solidarizues ishte në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre që ndodhen në Hagë.
Marshit i prinë edhe familjarët e ish-krerëve të UÇK-së si bashkëshortja e ish-presidentit Thaçi me djalë, bashkëshortja e ish-kreut të Kuvendit Veseli me vajzë etj.
Marshimi për drejtësi nisi nën tingujt e disa këngëve patriotike dhe nën brohorimat “UÇK, UÇK, UÇK” e me flamuj në duar,nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.
Më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-s, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.