Udhëtimi me avion/ Sigurim jete dhe shëndeti për shqiptarët... çfarë parashikon Kodi i ri Ajror

Udhëtimi me avion/ Sigurim jete dhe shëndeti…

Pasagjerët shqiptarë të linjave ajrore janë më të diskriminuarit dhe ata që marrin shërbimin më të keq dhe më të shtrenjtë në Europë.

Kjo është dëshmuar edhe në vitet e fundit ku në shumë raste kompanitë ajrore megjithëse nuk tregohen korrekte, pasagjerët asnjëherë nuk e gjejnë të drejtën, madje as nuk kanë se ku të ankohen.

Në shumë raste ndeshemi me anulime fluturimesh, vonesa, apo edhe bileta shumë të shtrenjta, për linja të cilat pasagjerët e shteteve fqinje paguajnë më pak se gjysmën e asaj që japin shqiptarët.

Por këtë gjë qeveria pritet që ta rregullojë në “Kodin e Ri Ajror”, të paktën në letra.

Ky kod është publikuar së fundi në Fletoren Zyrtare dhe pritet të hyjë në fuqi brenda muajit gusht, raporton “Monitor.al”.

Kodi pritet të sjellë një sërë risish, sa u takon subjekteve që operojnë në fushën e transportit ajror, si dhe për pasagjerët.

Ky kod ka pësuar ndryshime në një pjesë të madhe të neneve të tij, pas përmirësimeve që iu bën pak kohë më parë, me fokus më të zgjeruar tek pasagjerët dhe kompensimi i tyre.

Por cilat janë ndryshimet që janë bërë në kodin e ri?

Së pari, me ndryshimet bëhet rregullimi ligjor i përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare dhe të marrëdhënieve juridike në fushën e aviacionit civil.

Së dyti, bëhet rregullimi i veprimtarisë së avionëve civilë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, të avionëve për të cilët Shqipëria merr përgjegjësi sipas dispozitave të këtij Kodi, në përputhje me nenin 83 bis të Konventës së Çikagos.

Si dhe të avionëve të regjistruar në një shtet tjetër, por që operojnë me licencën e operimit të lëshuar nga autoriteti kompetent licencues i Republikës së Shqipërisë.

Së treti, sjell në vëmendje organizimin e hapësirës ajrore dhe përdorimin fleksibël të saj, duke sqaruar konceptin e këtij përdorimi.

Në nenin 29 “Çmimet dhe tarifat”, në përputhje me rregulloren përkatëse europiane (1008/2008), përcaktohet që transportuesit ajrorë të caktojnë lirisht çmimet e tarifat e shërbimeve ajrore dhe, mbi bazën e reciprocitetit, të zbatojnë dispozitat përkatëse të marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Këto parashikime më shumë saktësojnë ato që janë në ligjin ekzistues.

Në këtë kapitull janë vendosur disa parashikime bazë për fluturimet sportive, punët ajrore apo fluturimet private, të cilat në ligjin në fuqi nuk trajtohen.

Sa i takon kapitullit “Përgjegjësia dhe të drejtat e pasagjerëve”.

Dispozitat e këtij kapitulli të ndarë në gjashtë nënkapituj janë të njëjta me ato të ligjit aktual, është shtuar neni 154 “Sigurimi për pasagjerët, bagazhet dhe ngarkesën”, për të bërë më të qartë nenet e tjera që lidhen me sigurimin e detyruar.

Ky nen saktëson shumën minimale të mbulimit të sigurimit për përgjegjësinë ndaj pasagjerëve, bagazheve dhe të ngarkesës, kjo edhe sipas rregullores 785/2004 për sigurimin e detyrueshëm.

Tek kapitulli “Kundërvajtjet dhe gjobat” (neni 160-162) përcaktohen konkretisht ato shkelje, të cilat përbëjnë kundërvajtje administrative dhe masa e gjobës që variojnë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë për subjektet dhe deri në 200 000 lekë për individët.

Ndryshimi nga ligji në fuqi konsiston në rritjen e vlerës maksimale të gjobës, e cila është dyfishuar, si dhe shoqërimit të këtyre gjobave edhe me sanksione në pezullimin ose revokimin e licencës, certifikatës apo të dëshmisë përkatëse.

/Burimi: Monitor.al/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit