Një problem shqetësues që lidhet me rrjetin e kanalizimeve është denoncuar pranë redaksisë sonë nga banorët e një pallati në rrugën “Nexho Konomi”, Ndërtesa 40, Hyrja 1, në Njësinë Administrative Nr. 6 në Tiranë.
Sipas denoncimit të qytetarëve, prej më shumë se një viti ujërat e zeza dalin në sipërfaqe dhe përmbytin vazhdimisht garazhet e pallatit, duke krijuar shqetësime serioze për higjienën dhe shëndetin e banorëve.
Ata bëjnë me dije se administratori i pallatit ka depozituar dhjetëra ankesa pranë UKT-së. Grupet e terrenit kanë ndërhyrë disa herë për zhbllokimin e kanalit, por ndërhyrjet kanë rezultuar vetëm të përkohshme, pasi pas pak ditësh situata përsëritet.
Madje, sipas banorëve, vetëm gjatë tri javëve të fundit është ndërhyrë 2-3 herë, por problemi nuk është zgjidhur. Rrjedhja ka rinisur sërish që prej mbrëmjes së djeshme, ndërsa pamjet e dërguara në redaksinë tonë janë filmuar gjatë ditës së sotme.
Qytetarët thonë se edhe specialistët e terrenit kanë konstatuar se tubacionet kryesore që lidhin pallatin me rrjetin e kanalizimeve në rrugë janë të shtypura. Për këtë arsye, sipas tyre, zhbllokimet e zakonshme nuk mjaftojnë dhe nevojitet një ndërhyrje e mirëfilltë teknike për zgjidhjen përfundimtare të problemit.
Banorët shprehen se drejtuesit e UKT-së janë vënë në dijeni të situatës, por deri më tani nuk është ndërmarrë një zgjidhje përfundimtare.
Ata ngrenë shqetësimin se përmbytja e vazhdueshme me ujëra të zeza përbën rrezik serioz për higjienën dhe shëndetin, veçanërisht për familjet me fëmijë që jetojnë në këtë pallat.
Përmes redaksisë sonë, banorët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të UKT-së dhe institucioneve përgjegjëse për të riparuar tubacionet dhe për t’i dhënë fund një problemi që, sipas tyre, vijon prej më shumë se një viti.
A do të ketë më në fund një zgjidhje përfundimtare, apo banorët do të vijojnë të përballen me të njëjtën situatë çdo javë?
