Një banore e Ksamilit i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar një problem të rëndë me ujërat e zeza, i cili e ka zanfillën dy vite më parë por tani situata ka dalë jashtë kontrollit.
Sipas denoncimit të saj, tubi i shkarkimit të ujërave të zeza është prerë dhe në vend të tij janë vendosur tuba për linja interneti dhe televizioni kabllor. Për një kohë të gjatë, ujërat e zeza kanë përfunduar në tokë, por sot ato kanë dalë në sipërfaqe duke shkaktuar përmbytjen e banesës së saj.
Qytetarja ka njoftuar menjëherë Ujësjellësin e Sarandës dhe Ksamilit të cilët kanë bërë të mundur hapjen e kanalit dhe kanë konstatuar se tubi i ujërave të zeza ishte i prerë rreth 60 centimetra dhe në atë hapësirë janë vendosur tuba të tjerë.
Banorja kërkon që institucionet përgjegjëse të marrin masa urgjente për zgjidhjen e situatës dhe identifikimin e personave përgjegjës. Ajo bën me dije se çështja do të ndiqet edhe në rrugë ligjore.
Ngjarja vjen në kulmin e sezonit turistik, ndërsa banorja shprehet se ndotja dhe era e krijuar po sjellin shqetësim për banorët dhe vizitorët.