Banorët e Fushë-Arrëzit u helmuan nga ujësjellësi

Banorët e Fushë-Arrëzit u helmuan nga ujësjellësi

Një javë pas helmimit të banorëve në Fushë-Arrëz, raporti i Institutit të Shëndetit Publik konfirmon ndotjen e ujit të pijshëm përgjatë sistemit të furnizimit. Nga 24 gushti deri më 2 shtator janë regjistruar 139 raste me shenja gastrointestinale, ndërsa pjesa më e madhe e të prekurve janë banorë të Fushë-Arrëzit, veçanërisht në lagjet Demokracia dhe Nushaj. Shumica e pacientëve kanë pasur të vjella, diarre dhe temperaturë.

Rezultatet e analizave mikrobiologjike të ujit, të kryera nga ISHP më 4 shtator, konfirmojnë kontaminimin e ujit të pijshëm. Ndërkohë, 17 tamponët rektalë të marrë nga pacientët kanë rezultuar negativë për patogjenët bakterialë dhe viralë të kërkuar. Sipas ISHP-së, situata epidemiologjike është në përmirësim, me vetëm pesë raste të reja të raportuara më 3 shtator, por konstatimi i ndotjes së ujit ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e furnizimit me ujë të banorëve.

Raporti e lidh përhapjen e rasteve me një burim të përbashkët ekspozimi, duke e konsideruar sistemin e furnizimit me ujë si shkakun më të fortë të dyshuar. Megjithatë, një javë pas shpërthimit të rasteve, mbeten pikëpyetje për mënyrën se si u kontaminua uji, përgjegjësit për cilësinë e tij dhe masat e marra për të parandaluar përsëritjen e situatës. Për banorët, konfirmimi zyrtar i ndotjes kërkon jo vetëm sqarim të plotë të shkaqeve, por edhe përgjegjësi konkrete për sigurinë e ujit të pijshëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit