
Një situatë absurde është denoncuar nga banorët e kompleksit “Malaizjan” në Tiranë, të cilët thonë se kanë mbetur pa ujë për disa ditë, ndërsa autobotët e UKT-së furnizojnë vetëm persona të caktuar.
Sipas qytetarëve, gjatë ditës së shtunë dhe të dielë, pallatet e kompleksit nuk kanë pasur furnizim me ujë, pavarësisht telefonatave dhe ankesave të shumta të banorëve pranë UKT-së. Ata thonë se autoboti ka shkuar disa herë vetëm pranë një pallati të caktuar, ku pretendohet se banon një person “mik” i drejtorit të Ujësjellësit.
“Autoboti ka ardhur dy herë te i njëjti person, ndërsa ne të tjerët të vdesim pa ujë. Telefonojmë UKT-në dhe na gënjejnë pa pushim,” – shprehet një qytetar për JOQ Albania, duke shtuar se edhe pas thirrjeve të shumta, nuk është marrë asnjë masë për pjesën tjetër të kompleksit.
Pamjet e dërguara nga banorët tregojnë autobotin e ndalur pranë pallatit ku pretendohet se ka miqësi me drejtues të institucionit. Qytetarët kërkojnë trajtim të barabartë dhe shërbim për të gjithë, jo vetëm për ata që kanë “lidhje”.
“Uji është jetik, nuk mund të ndahet me miq dhe të tjerët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë,” – përfundojnë ata në mesazhin e tyre.
Kjo nuk është një situatë e izoluar. Prej ditësh, edhe shumë zona të tjera të Tiranës dhe jo vetëm, po vuajnë mungesën e ujit, ndërsa UKT hesht dhe qytetarët mbeten të pambrojtur në të nxehtin përvëlues të verës.
<iframe width=”458″ height=”815″ src=”https://www.youtube.com/embed/VGRSQmg1j1Q” title=”” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>