Ujrat e zeza sheshit! Banorët te 'Varri i Bamit' nuk hapin dot dritaret

Ujrat e zeza sheshit! Banorët te ‘Varri…

Një denoncim shqetësues ka mbërritur nga banorët e pallatit nr. 11 shkalla 3 në zonën e ‘Varrit të Bamit’ në Tiranë, sa i takon menaxhimit të ujërave të zeza pranë apartamenteve të tyre.

Në një intervistë për TVA News, banorët treguan se kanë bërë disa kërkesa te Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës, dhe në Bashki, por asnjë prej institucioneve nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare situatës.

Përparimi, Jashari dhe Ademi, tre ndër banorët e pallatit që kanë ngritur shqetësimin, shprehen të zhgënjyer nga moszgjidhja e këtij problemi.

Ne kemi problemin e ujërave të zeza. Kemi bërë disa kërkesa në Drejtorinë e UKT-së, dhe deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kam telefonuar dhe te numri i gjelbër, më thonë do ta delegojmë, do t’i sjellim, do marrim masa, po vetëm kaq. Ky problem ka vite, ata vijnë pastrojnë, për një muaj del përsëri. Ne jemi pleq nuk e ndjekim dot, por edhe bashkia edhe qeveria këto probleme i kanë lënë në harresë”, shprehet një qytetar.

Kanali është pastruar vetëm një herë para disa kohësh, por është kthyer në gjendjen fillestare dy javë pas ndërhyrjes.

U mbush një herë një autobot, e pastruan e hodhën andej nga kanali, gjendja prapë ashtu është. Për 10 ditë mbushen prapë. Ne kemi bërë kërkesë po ata prapë s’kanë për të ardhur,” thotë një tjetër.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, pasi era e rëndë dhe insektet që grumbullohen nga papastërtia, po ua bëjnë të pamundur qëndrimin në shtëpi.

Ne kërkojmë vetëm të pastrohet kanali dhe të rrimë rehat, sepse nuk hapim dot dritaret nga mushkonjat,” përfundon një tjetër banor.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit