Një tjetër faturë për buxhetin e shtetit lidhet me Unazën e Poshtme të Burrelit, një segment rrugor prej vetëm 960 metrash, ndërtimi i të cilit kushtoi rreth 1.3 milionë euro. Vetëm një muaj pas përfundimit të punimeve, rruga pësoi katër shembje të mëdha për shkak të rrëshqitjeve, duke e bërë atë të pakalueshme. Investimi ishte projektuar për të shmangur kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë përmes qytetit, por ironikisht, rruga nuk arriti ta kryejë këtë funksion asnjë ditë. Pas dëmtimeve, Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaroi se do të kryente një ekspertizë për të përcaktuar shkaqet e shembjeve dhe mënyrën e ndërhyrjes.
Ndërkohë, ndërsa përgjegjësitë për investimin fillestar mbeten ende të paqarta, fatura për qytetarët rritet me rreth 930 mijë euro të tjera. Për riparimin e rrugës është zhvilluar një tender me fond limit prej 90.3 milionë lekësh, ndërsa fitues është shpallur kompania “2N” sh.p.k., me administrator Ndriçim Stojkun, e cila ka ofruar 87 milionë lekë. Sipas parashikimeve teknike, ndërhyrja do të përfshijë ndërtimin e pilotave në një gjatësi prej rreth 300 metrash, me qëllim forcimin e trasesë së dëmtuar nga rrëshqitjet. Në këtë mënyrë, një rrugë vetëm 960 metra e gjatë do t’i kushtojë buxhetit në total mbi 2.2 milionë euro.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve, kontrollin teknik dhe përgjegjësinë institucionale për përdorimin e parave publike. Si është e mundur që një investim prej 1.3 milionë eurosh të pësojë katër shembje të mëdha vetëm një muaj pas përfundimit? Dhe nëse rruga është ndërtuar për të larguar trafikun e rëndë nga Burreli, si shpjegohet që ajo nuk arriti të përmbushë këtë funksion as për një ditë? Ndërsa qytetarët përballen me një tjetër faturë prej 930 mijë eurosh për ta bërë funksionale, mbetet ende pa përgjigje pyetja kryesore: kush mban përgjegjësi për dështimin e investimit të parë dhe pse kostot e tij po paguhen sërish nga buxheti i shtetit?