Një qytetar ka dërguar një denoncim në redaksinë tonë, duke ngritur shqetësimin për abuzim me detyrën dhe gjobitje selektive nga ana e efektivëve të Policisë Bashkiake.
Ai ka treguar se ngjarja ka ndodhur ditën e sotme te Rruga e Kavajës ndërsa ishte pak metra larg mjetit të tij tip “Smart”. Ai shprehet se punonjësi i Policisë Bashkiake ka vendosur gjobën për parkim të gabuar në xhamin e makinës edhe pse ai ka qenë prezent në momentin e plotësimit të fletëgjobës.
Por ajo që e bën situatën edhe më skandaloze është fakti se në të njëjtin vend ka pasur edhe automjete të tjera të parkuara, konkretisht një mjet luksoz tip “Benz” me targa të huaja (angleze), të cilit nuk i është vënë asnjë gjobë.
Kur qytetari i ka kërkuar llogari efektivit se përse po tregonte standarde të dyfishta, përgjigjja e punonjësit të Policisë Bashkiake e ka lënë pa fjalë pasi ai është arsyetuar me faktin se Benzi është me targa të huaja.
“Më tha është me targa të huaja. Unë me makinë ‘Smart’ marr gjobë, kurse tjetri me ‘Benz’ super nga Anglia shpeton nga gjoba se ka targa të huaja.”
Qytetari bën thirrje përmes këtij denoncimi që strukturat përkatëse të verifikojnë këtë rast flagrant të vendosjes së gjobave selektive ndaj qytetarëve që qarkullojnë me mjete modeste në krahasim me mjetet e huaja apo luksoze.