UNICEF: 110 shqiptarë kishin rënë pre e trafikimit, 67% fëmijë

UNICEF: 110 shqiptarë kishin rënë pre e…

Trafikimi i qenieve njerëzore, fëmijëve dhe grave, është kthyer në një fenomen shqetësues në vendin tonë. Teknologjia, vitet e fundit ka “ndihmuar” në evolumin e kësaj dukurie, ndaj të cilave deri më tani nuk është marrë asnjë masë e posaçme , pavarësisht denoncimeve që janë bërë.


Të dhënat e bëra publike nga UNICEF për vitin 2023, nxjerrin në pah se 110 shqiptarë kishin rënë pre e trafikimit. Nga këta, 67% ishin fëmijë dhe 29% gra. Nga të dhënat globale të UNICEF, rezulton se fëmijët janë kategoria që bien më shpejt pre e trafikimit, duke regjistruar edhe shifrat më të larta.


Ambasadori i Mbretërisë Së Bashkuar në Tiranë, Alastair King Smith, i bëri thirrje qeverisë shqiptare për frenimin e emigracionit të paligjshëm, pasi trafikantët synojnë këto grupe. Sipas British Council, 2/3 e të rinjve duan të ikin nga Shqipëria dhe trafikantët e shfrytëzojnë këtë gjë. Ndaj, duhet që të rriten mundësitë e të rinjve për punësim dhe mbështetje në Shqipëri. Pre e trafikimit bien kryesisht fëmijët, por dhe të rinjtë.

Një nga format më të zakonshme të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri është trafikimi seksual. Gratë dhe vajzat shqiptare joshen shpesh me premtime për punësim ose martesë dhe më pas detyrohen të prostituohen. Shumë prej këtyre viktimave shfrytëzohen brenda Shqipërisë, ndërsa të tjerat trafikohen në vendet fqinje, si Greqia dhe Italia, ose në Evropën Perëndimore, ku shiten në industrinë e prostitucionit.

Një formë tjetër e përhapur e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri është trafikimi i punës. Shqiptarët shpesh trafikohen në vende të tjera, ku ata punojnë në bujqësi, ndërtim, shërbime shtëpiake apo dhe në punë të pista. Te punët e pista përfshihen trafiku i drogës, prodhimi i drogës por edhe trafikim i armëve. Këta punëtorë shpesh u nënshtrohen orëve të gjata, pagave të ulëta dhe kushteve çnjerëzore të jetesës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit