Ura e amortizuar në Tarazh të Mirditës rrezikon izolimin e fshatit

Ura e amortizuar në Tarazh të Mirditës…

Banorët e fshatit Tarazh, në Mirditë, kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për riparimin e një ure të amortizuar, e cila shërben si pikë kalimi për automjetet dhe këmbësorët. Sipas tyre, pavarësisht njoftimeve të përsëritura drejtuar kryetarit të bashkisë gjatë dy muajve të fundit, deri më tani nuk është marrë asnjë masë për përmirësimin e situatës.

Në një denoncim të mbërritur nga banorët, bëhet me dije se gjendja e urës është përkeqësuar ndjeshëm, duke e bërë kalimin gjithnjë e më të vështirë dhe të rrezikshëm. Sipas tyre, ka persona që mezi arrijnë të kalojnë, ndërsa të tjerë e kanë të pamundur ta bëjnë këtë.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh me afrimin e dimrit, kur prurjet e Zallit rriten dhe banorët rrezikojnë të mbeten të izoluar, pa mundësi për të kaluar në anën tjetër.

Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të komunitetit. Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, ndërsa personat e sëmurë mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore urgjente. Banorët paralajmërojnë se, në rast të rritjes së nivelit të ujit, mund të përballen edhe me vështirësi për sigurimin e ushqimeve, ujit dhe nevojave të tjera bazë.

Përmes këtij denoncimi, ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme, që garanton kalim të sigurt në çdo stinë të vitit.

Banorët e Tarazhit kërkojnë që shqetësimi i tyre të dëgjohet dhe ura të mos kthehet në një pengesë për shkollimin e fëmijëve, kujdesin shëndetësor dhe jetesën e përditshme të komunitetit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit