Urimi dhe mallkimi vjen prej shpirtit

Urimi dhe mallkimi vjen prej shpirtit

Nga Armir Shkurti

Këndova një letër të hapur të Vilma Nushit dje dhe mu bë shumë qejfi që qe aq mirë me shëndet, sa ia kishte takatin të gjezdiste mureve të shqiptarëve në FB, e pastaj edhe të hartonte një përgjigje të gjatë e të thellë.

Kur e pamë tek fluturonte me axhele drejt Turqisë kujtuam se virusi e kish çuar në pikë të fundit. Aq të fundit sa hyzmeti këtu qe shterur dhe po mbetej edhe një kuturisje e fundit në zemër të ish perandorisë.

Mirëpo ngeja e takati që fort e ndritura zonjë dëshmoi nga shtrati i lëngatës na mbushi me shpresë se është lehtë dhe shumë larg një fundi të hidhur.

Që në krye po e sqaroj se unë nuk jam prej atyre që i uroj të keqen. U shëroftë e u ktheftë më me zell në krye të punëve që drejton. As te ata që i kanë zili paratë apo biznesin nuk bëj pjesë. Nuk kam zemër aq të fortë sa ajo të përballoj telashet që të hap paraja e madhe.

Ama përkimin e udhëtimit jashtë për kurim me misionin e check-up , si plot shqiptarë, as unë nuk rri dot pa vënë re. Janë miliona euro, NGA PARATË TONA, që i ka dhënë EDI RAMA për të na kontrolluar shëndetin…”falas”!!

Kur Edi Rama shpalli këtë thagmë, plot prej nesh pyetën se përse nuk u hodhën nëpër spitale këto para dhe aty pastaj edhe gjendja atje përmirësohej ndjeshëm, po edhe shërbimi do të qe më i kualifikuar.

Me paradigmën e “kur e bën sh₩rrën në det kripa ta sjell në gjellë”, kur zonjën e artë të shëndetit të 40 – 70-vjeçarëve shqiptarë e panë të linte Shqipërinë për tu kuruar në një vend tjetër, ca nuk e mbajtën dot gjuhën. Ca – siç na e shkruan ajo vet – i uruan shërim të shpejt. Ca të tjerë e mallkuan.

Ajo vet thotë se beson që as të parët e as të dytët s’kanë ç’i bëjnë, se ditën e mbrame ia ka prerë Perëndia.

Me shpresën e kësaj të fundit, pra se beson te Krijuesi, thjesht dua ti kujtoj se ato paratë që merr me thasë për në na kqyrur falas janë gjak, lëngatë dhe jetë shqiptarësh të humbura në “Hotel Shëndetësia”. Në spitalet fasadë ku edhe pelenën e ujin e pijshëm duhet t’ia shpiesh të afërmit në reanimacion. Pa folur për ilaçet.

Komunistët që u shndërruan në kapitalistë me këndvështrimin marksist – leninist mbi kapitalin, i mbushën në radhë të parë vetes mendjen se ky është sistem i egër, i pamëshirshëm, xhungël ku ha njeriu njeriun. Nga nuk ka rëndësi nga dhe si vjen paraja. Nuk ka rëndësi kush vuan, skllavërohet, vuan a vdes. Rëndësi ka fitimi.

Nga korrupsioni absolut i Bllokut shqiptari pas 30 vjetësh thuaj ka mbërritur tek korrupsioni absolut i rilindur nga pinjollët e bllokut të kthyer në oligarkë. Domethënë që tashmë në të njëjtat duar kanë shtrënguar çdo pushtet, duke ia nisur nga PUSHTETI I PARASË.

Kështu që shqiptarit të tradhtuar nga bastardët që ia prinë këtë tranzicion, nga Gogo te Vilma, sot nuk i ka mbetur tjetër veç lutjes, urimit e mallkimit!

…..A se gjesh harrova! Edhe listave të hapura!

/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit