Ushqimet me bazë insektesh mund të hyjnë në tregun shqiptar në të ardhmen, pasi projektligji i ri “Për ushqimin” i afron rregullat e vendit me ato të Bashkimit Evropian për ushqimet e reja.
Edhe pse teksti i draftit nuk e përmend fjalën “insekte” drejtpërdrejt, ai përfshin produkte të prodhuara nga kafshë ose pjesë të tyre dhe hap rrugën për njohjen e lejeve që tashmë ekzistojnë në BE.
Drafti është aktualisht në konsultim publik dhe, nëse miratohet, rregullat për ushqimet e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht 2028.
Çfarë parashikon projektligji?
Neni 31 e fut në kategorinë e ushqimeve të reja çdo ushqim të përbërë, të izoluar ose të prodhuar nga kafshë ose pjesë të tyre, sipas kushteve përkatëse. Ky përkufizim përafron me sistemin evropian ku trajtohen edhe produktet e përftuara nga insektet.
Neni 32 përcakton se asnjë ushqim i ri nuk mund të shitet pa marrë më parë autorizim. Nëse një produkt ka leje të vlefshme në Bashkimin Evropian dhe figuron në listat e tij, komisioni shqiptar verifikon autorizimin dhe kushtet e tij pa kërkuar një procedurë të dytë të plotë miratimi.
Ndërsa për produkte që synohet të prodhohen në Shqipëri pa autorizim evropian, kërkohet miratim kombëtar i bazuar në vlerësimin e sigurisë.
Kjo nuk do të thotë se çdo produkt me insekte do të lejohet lirisht. Detajet dhe kategoritë e veçanta do të përcaktohen përmes akteve zbatuese dhe kushteve të secilës leje.
Cilat ushqime me bazë insektesh lejohen në BE?
Bashkimi Evropian ka miratuar ndër vite disa produkte me bazë insektesh si burim alternativ proteinash, përfshirë larvat e brumbullit të miellit (Tenebrio molitor), karkalecin shtegtar dhe kriketin e shtëpisë.
Një nga miratimet e fundit, në janar 2025, lejoi pluhurin nga larvat e Tenebrio molitor të trajtuara me rrezatim ultravjollcë, brenda kufijve të caktuar nga Komisioni Evropian.
Lejet evropiane nuk janë të pakufizuara. Ato përcaktojnë saktë format e përdorimit, kategoritë e produkteve ku mund të shtohen, sasitë e lejuara dhe rregullat e etiketimit, duke vlerësuar edhe rrezikun e alergjive te personat e ndjeshëm ndaj proteinave të insekteve.
Çfarë do të thotë kjo për konsumatorët në Shqipëri?
Nëse projektligji miratohet siç është propozuar, produkte të autorizuara në BE mund të arrijnë edhe në tregun shqiptar, por me disa rregulla të qarta për mbrojtjen e blerësve. Informacioni i detyrueshëm ushqimor duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe i lexueshëm, duke treguar qartë përbërësin e përdorur dhe paralajmërimet për alergjenët.
Për shkeljet e rregullave të autorizimit, projektligji parashikon gjoba nga 200 mijë deri në 300 mijë lekë. Qëllimi i ndryshimeve është përafrimi me standardet evropiane, jo dhënia e një lejeje të përgjithshme për çdo lloj ushqimi me bazë insektesh.