Një efektiv i Forcave të Armatosura i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një shqetësim që lidhet me shpërblimin e premtuar për ushtarakët që kanë marrë pjesë në operacionet për shuarjen e zjarreve.
Sipas qytetarit, më 30 korrik, kryeministri Edi Rama njoftoi për dhënien e një shpërblimi për efektivët e FA-së që u angazhuan në përballimin e situatave të zjarreve. Megjithatë, sipas tij, kanë kaluar gati katër muaj dhe shpërblimi ende nuk është dhënë.
Efektivi shprehet se, pavarësisht se listat e personelit janë përgatitur, nga zyrat e financës në reparte u është komunikuar se ende nuk ka dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM) përkatës.
Pyetja që efektivi i drejton kryeministrit është: Pse shpërblimi për punonjësit e Policisë së Shtetit u miratua brenda ditës, ndërsa për ushtarakët, të cilët gjithashtu kanë qenë në terren dhe janë përballur me rrezikun e zjarreve, procedurat vijojnë të mbeten pezull?
A është e drejtë që efektivët e Forcave të Armatosura të presin për muaj të tërë për një shpërblim që, sipas denoncuesit, u është premtuar publikisht?
Në fund, qytetari ka edhe një apel për Policinë e Shtetit, duke u kërkuar efektivëve të mos përdorin forcën ndaj të rinjve dhe studentëve për interesa të askujt.
“Mos i godisni fëmijët për interesat e dikujt tjetër. Veprime të tilla na kanë turpëruar edhe ne, ushtarakët që shërbejmë nën uniformë. Forca, rini!”
Denoncimi i ushtarakut:
Prsh joq! Jam nje efektiv i ushtrise dhe dua te denoncoj nje fakt. “Lartmadhnia” edi rama premtoj nje page shperblim per cdo efektiv i FA qe mer pjes ne zjare.. kan kaluar gati 4 muaj qe akoma skan dal asgje. Interesohemi tek Financa neper reparte dhe na thon qe akoma ska dal nje VKM ndonese listat e personelit i kemi bere! Pyetje qe i bej kryeministrit eshte!, Pse per policine e miratove shperblimin brenda dites dhe per ushtaraket edhe pas 4 muaj nuk eshte miratuar ende?! Apo per te te mbrojt b.then tende nga studentet?!
Nje apel per per Policin e Shtetit, mos godisni femijet per interesa te dikujt sepse na keni turperuar dhe ne ushtarekeve qe jemi nen uniforme! FORCA RINI!. ANONIM TE LUTEM!