
Për më shumë se 40 ditë, një luftë e përgjakshme ka nisur mes Izraelit dhe Palestinës. Konflikti i nisur vite më parë u përshkallëzua që pas datës 7 tetor të këtij viti. Deri më tani numërohen afro 1 mijë e 200 izraelitë dhe 12 mijë palestinezë të vdekur. Në mes të kësaj masakre ndaj civilëve të pafajshëm, luftës territoriale dhe luftës së urisë, dhjetra ushtarë izraelitë kanë gjetur kohën për të festuar.
Një video e publikuar në rrjetin social “X”, tregon sesi ushtarët izraelitë janë të zhveshur, të dehur dhe me armë në duar duke kënduar, brohoritur dhe kërcyer. Festa u organizua në një njësi të ushtrisë në veri të Izraelit dhe ishte i ftuar këngëtari i muzikës pop, Avihu Pankhasov.
Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi se do të merreshin masa të rrepta për ushtarët, teksa këta të fundit u justifikuan duke thënë se po festonin martesën e një kolegu të tyre dhe se donin t’i ngrinin moralin në kohë lufte.