Në shumë vende, t’i tërheqësh vëmendjen një eprori mund të të kushtojë karrierën. Në SHBA ndodhi e kundërta. Një ushtar i thjeshtë i kërkoi të respektonte rregullat vetë sekretarit të Mbrojtjes dhe, në vend që të ndëshkohej, u nderua me medalje prej tij. Thomas Iglesias po merr vëmendje të madhe për këtë veprim, madje po cilësohet edhe si “Njeriu i Vitit”.
Ngjarja ndodhi më 11 nëntor, gjatë ceremonisë së Ditës së Veteranëve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, bashkë me bashkëshorten dhe shoqëruesit e tij, po bënin fotografi pranë Monumentit të Ushtarit të Panjohur. Teksa grupi po bisedonte dhe qeshte, Iglesias ndërhyri dhe u kujtoi se aty kërkohej heshtje dhe respekt.
Dhe nuk po i drejtohej kujtdo, por pikërisht njeriut që drejton Pentagonin. Hegseth e pranoi vërejtjen dhe, një ditë më vonë, e priti ushtarin në Pentagon për ta nderuar me medaljen “Joint Service Commendation”.
Por përtej asaj që ndodhi në SHBA, kjo histori na çon te një pyetje që vlen edhe për Shqipërinë: A do të vijë një ditë kur edhe një polic apo ushtarak shqiptar të ketë guximin t’i thotë “jo” një eprori, gjenerali apo ministri, kur urdhri bie ndesh me ligjin? Kur të mos ketë frikë të bëjë detyrën, pavarësisht se kush qëndron përballë tij?
Uniforma nuk duhet të jetë simbol i bindjes së verbër ndaj individëve, por i besnikërisë ndaj ligjit dhe vendit. Sepse një shtet i fortë ndërtohet kur askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk ndëshkohet pse ka bërë detyrën me ndershmëri.
<iframe width=”337″ height=”599″ src=”https://www.youtube.com/embed/4k-wutJXe50″ title=”Ushtari amerikan që sfidoi pushtetin në emër të detyrës: Qortoi shefin e Pentagonit dhe u nderua…” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>