Elion Mustafaj, kryeprokuror i Prokurorisë së Fierit që nga qershori 2023, rezulton të ketë një histori problematike gjatë karrierës në sistemin e drejtësisë shqiptare, sipas dokumenteve dhe denoncimeve të mbledhura nga media.
Gjatë viteve 2004–2022, ndaj tij janë regjistruar 60 denoncime, 7 kallëzime penale dhe 2 procedime zyrtare, të cilat lidhen kryesisht me favorizime ndaj subjekteve kriminale dhe zyrtarëve të korruptuar. Denoncimet më të rënda përkojnë me vitet e fundit të karrierës së tij si prokuror në Vlorë, Korçë, Lushnje dhe Fier.
Disa prej rasteve më të spikatura përfshijnë:
- Kallëzimin e tetorit 2016 për fshehje provash, i cili mbeti i pezulluar për më shumë se një vit;
- Një kallëzim të shtatorit 2017 për shpërfillje të provave, që u zvarrit për 10 muaj dhe u pushua pas tre vitesh;
- Çështje të vitit 2020 e 2021, ku kallëzimet për favorizime ndaj subjekteve kriminale dhe falsifikim procesverbalesh u mbyllën pa hetim të thelluar.
Në total, 33 denoncime janë regjistruar në Vlorë, 15 në Korçë dhe 12 në Lushnje, duke e akuzuar për manipulim të çështjeve penale në favor të personave me ndikim financiar.
Megjithatë, Mustafaj është vlerësuar “shumë mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dhe ka kaluar procesin e vettingut pa asnjë penalitet, ndonëse disa herë i është pezulluar certifikata e sigurisë për kontakte të dyshimta.
Sipas burimeve, ai konsiderohet si një “ushtar politik” i strukturave të majta dhe patronazhist aktiv i Partisë Socialiste, ndërkohë që dyshohet për ndërhyrje në hetimet e dosjes “Bankers Petroleum”, me pasoja fiskale për shtetin shqiptar me dëme qindra milionë euro.