Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga radhët e Forcave të Armatosura, duke rikthyer në vëmendje problematikën e pajisjes së ushtarakëve me uniforma dhe mjete të nevojshme për shërbimin.
Këtë herë bëhet fjalë për një ushtare të Forcave të Armatosura, e cila ka zgjedhur t’i drejtohet redaksisë sonë për të denoncuar mungesën e pajisjeve të nevojshme për shërbimin. Ajo tregon se, megjithëse këpucët ushtarake duhet t’i sigurohen nga institucioni, është detyruar t’i blejë vetë përmes platformës online Temu.
Sipas saj, këpucët që ka blerë nuk janë cilësore dhe nuk e mbrojnë nga uji, duke e detyruar të përballojë nga xhepi i saj një shpenzim që lidhet drejtpërdrejt me kryerjen e detyrës.
Një tjetër shqetësim që ngre efektivja lidhet me uniformat. Ajo thotë se ushtarakët kanë kërkuar pajisjen me një palë të dytë veshjesh, në mënyrë që të kenë mundësi t’i ndërrojnë, veçanërisht gjatë dimrit, kur rrobat e shërbimit lagen dhe thahen me vështirësi. Por, sipas saj, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.
Ky denoncim nuk vjen i shkëputur nga shqetësimet e mëparshme të publikuara nga JOQ Albania për kushtet dhe trajtimin e personelit ushtarak.
Në mars të vitit 2025, një oficer denoncoi se ushtarakët detyroheshin të blinin me paratë e tyre uniformat, këpucët dhe sandalet. Një ditë më pas, mbërriti një tjetër denoncim ku ngriheshin shqetësime për ushqimin në mensa, orët shtesë pa pagesë dhe mosmarrjen e lejeve vjetore.
Në janar të vitit 2026, një ushtar nga Korça dërgoi pamje të çizmeve të dëmtuara dhe të çara me të cilat, sipas tij, efektivët detyroheshin të kryenin shërbimin edhe në mes të dimrit. Në mars, një tjetër ushtar nga Zall-Herri denoncoi se nuk kishte marrë ende lejen e zakonshme që i takonte.
Vetëm pak ditë më parë, më 3 nëntor, JOQ publikoi edhe denoncimin e një ushtaraku nga Tirana për bonuset e papaguara për angazhimin e efektivëve në operacionet kundër zjarreve gjatë sezonit veror.
Pra, bëhet fjalë për shqetësime të përsëritura që lidhen me pajisjet, kushtet e shërbimit dhe të drejtat e personelit ushtarak. Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat përgjegjëse duhet të japin sqarime për këto pretendime dhe të bëjnë të ditur nëse ushtarakëve po u sigurohen pajisjet që u nevojiten për të kryer detyrën.
Denoncuesja ka kërkuar që identiteti i saj të mos bëhet publik për arsye sigurie dhe profesionale. JOQ Albania e publikon shqetësimin duke respektuar kërkesën e saj dhe mbetet e hapur për një reagim nga Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet përkatëse.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ Albania!
Dua të denoncoj një problematikë që lidhet me vendin tim të punës në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Pavarësisht se këpucët ushtarake janë pjesë e pajisjeve që na takojnë për shërbimin që kryejmë, ato nuk na janë dhënë në mënyrën e duhur. Si pasojë, jam detyruar t’i blej vetë këpucët ushtarake online, në platformën Temu. Këpucët nuk janë cilësore dhe fusin ujë, ndërkohë që shpenzimet duhet t’i përballoj nga xhepi im.
Gjithashtu, kemi kërkuar që të na jepet një palë e dytë veshjesh ushtarake, sidomos gjatë dimrit, në mënyrë që t’i kemi për ndërrim, pasi uniformat mezi thahen. Por kjo kërkesë nuk është përmbushur.
Është e papranueshme që ushtarakët të detyrohen të përballojnë vetë shpenzime për pajisjet që u takojnë dhe të mos marrin përgjigje për kërkesat e tyre.
Kërkoj që kjo problematikë të bëhet publike dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që ushtarëve t’u sigurohen pajisjet dhe veshjet që u takojnë. Faleminderit!