Një qytetar ka denoncuar një incident të rrezikshëm të ndodhur këtë të martë në zonën e Sharrës, përballë godinës së FNSH-së, ku ja rrëshqitur me motor për shkak të një sasie vaji të derdhur në asfalt.
Ai ka treguar se teksa po udhëtonte me një shpejtësi rreth 30-40 km/h, humbi papritur kontrollin e motomjetit dhe rrëshqiti për rreth 10 metra. Fatmirësisht nga incidenti nuk pati pasoja të rënda, megjithëse ka pësuar disa dëmtime të lehta të mjekuara dhe fashuara më pas.
Qytetari kërkon që autoritetet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për pastrimin e rrugës dhe identifikimin e përgjegjësve që kanë derdhur vajin në asfalt, duke theksuar se një situatë e tillë mund të shkaktojë aksidente të rënda, veçanërisht për drejtuesit e motorëve dhe biçikletave.
Ai shton se ngjarja mund të verifikohet edhe përmes kamerave të sigurisë në zonën përballë FNSH-së dhe apelon që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë segment rrugor.
Mesazhi i qytetarit:
Përshëndetje, JOQ! Nuk e di nëse është rast për ta publikuar, por mendoj se duhen marrë masa ndaj atyre që derdhin vaj në rrugë, pasi përbën rrezik serioz për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht për drejtuesit e motorëve dhe motomjeteve me dy rrota. Sot po lëvizja me motor me rreth 30-40 km/h dhe, te kthesa e dytë e Sharrës, përballë FNSH-së, rrëshqita mbi vaj dhe u tërhoqa për gati 10 metra. Fatmirësisht shpëtova pa pasoja më të rënda.
Besoj se ngjarja mund të verifikohet edhe nga kamerat e sigurisë së FNSH-së, ku mund të duken momentet e rrëshqitjes. U largova menjëherë nga vendi, pasi i vendosa vetes disa fasho. Kam vetëm këtë video ku duket vaji në rrugë. Nëse mendoni se nuk është e përshtatshme për publikim, nuk ka problem. Thjesht doja që njerëzit ta shohin dhe të tregojnë kujdes, sepse dikush tjetër mund të rrëshqasë pa e ditur që në rrugë ka vaj.
