Një qytetare i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një rast shqetësues, që sipas saj po përsëritet prej disa ditësh në Rrugën e Durrësit, në Tiranë.
Përmes një mesazhi të dërguar në redaksi, vajza, e cila ka kërkuar të mbetet anonime, thotë se një grua fyen dhe ofendon në mënyrë të përsëritur vajzat që mbajnë shami.
Sipas denoncueses, ajo dhe disa vajza të tjera janë përballur me fyerje të rënda verbale, teksa kalojnë çdo ditë në këtë rrugë për të shkuar në universitet. Ajo tregon se rastet i kanë ndodhur personalisht gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa thekson se nuk e njeh zonjën në fjalë dhe nuk ka pasur asnjë konflikt apo komunikim të mëparshëm me të.
Qytetarja shprehet se situata u ka shkaktuar shqetësim dhe lëndim emocional, duke e cilësuar të papranueshme që vajzat të përballen me ofendime publike për shkak të mbulesës së tyre.
Për këtë arsye, ajo u bën thirrje edhe vajzave të tjera që mund të jenë përballur me të njëjtën situatë, që nëse disponojnë foto apo video, t’i ndajnë ato me qëllim dokumentimin e rasteve dhe ndjekjen e rrugës ligjore.
Denoncuesja kërkon që personi të identifikohet nga autoritetet dhe të bëhet kallëzim për fyerjet dhe nxitjen e urrejtjes fetare që ajo tregon ndaj vajzave.