Vala intensive e të nxehtit që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor do të vijojë edhe në ditët e para të javës, duke sjellë temperatura ekstremisht të larta në të gjithë rajonin. Sipas parashikimeve meteorologjike, e hëna do të shënojë temperatura maksimale 40-41°C, ndërsa të martën termometri pritet të ngjitet në 41-42°C, me zona të veçanta ku vlerat mund të arrijnë deri në 43°C. Edhe dita e mërkurë parashikohet të mbetet nën ndikimin e të nxehtit përvëlues.
Sinoptikanët parashikojnë se situata atmosferike do të nisë të ndryshojë nga dita e enjte, 23 korrik. Depërtimi i masave më të freskëta të ajrit pritet të sjellë ulje graduale të temperaturave, ndërsa në disa zona të Ballkanit jugperëndimor nuk përjashtohen reshje shiu dhe stuhi të izoluara, që mund të lehtësojnë disi kushtet e motit.
Ndërkohë, Evropa po përballet me një nga verat më të nxehta të viteve të fundit. Temperaturat rekord kanë prekur shumë vende të kontinentit, ndërsa raportimet tregojnë se që nga muaji qershor mbi 12 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e valëve ekstreme të të nxehtit, duke shtuar shqetësimet për ndikimin e temperaturave të larta në shëndetin publik.