
Pensionet e pjesshme nga 5 mijë deri në 7 mijë lekë, të plota nga 10 mijë në 15 mijë, janë recetë për uri masive dhe varfëri të trashëguar nga koha e kooperativave.
Më shumë se gjysma e shqiptarëve që dolën në pension gjatë vitit 2024 morën pagesa të pjesshme. Sipas të dhënave zyrtare, 52% e pensionistëve përfituan një shumë të reduktuar mujore, duke konfirmuar thellimin e një krize sociale që prek të moshuarit. Në vitin 2023 kjo shifër ishte 49.7%, ndërsa tani rritja është edhe më e theksuar.
Pensionet e pjesshme variojnë nga 5000 deri në 7000 lekë të rinj në muaj. Në një treg me çmime të përbindshme dhe pa ndihmën e remitancave, këto shuma e shtyjnë pensionistin drejt të njëjtës urie që përjetojnë zonat e luftës. Madje edhe pensionet e plota – nga 10,000 deri në 15,000 lekë – janë larg çdo standardi jetese minimale.
Në fund të vitit 2024, numri i pensioneve të pleqërisë arriti në 607,567, ndërsa 316,781 prej tyre ishin të pjesshme. Kjo do të thotë se për herë të parë, më shumë se gjysma e pensionistëve nuk plotësojnë më kriteret e nevojshme për pension të plotë. Shkaqet janë të shumta: emigracioni, mungesa e sigurimeve dhe informaliteti i thellë në tregun e punës.
Reforma e nisur në vitin 2015 parashikoi rritje të viteve të kontributit për pension të plotë, nga 35 në 40 vjet, deri në vitin 2032. Por në vitin 2024, shqiptarët mesatarisht kishin vetëm 26.7 vite sigurimi. Një hendek i thellë që prodhon mjerim të mirëfilltë.
Shumë të moshuar që dikur punuan në kooperativa bujqësore, e cila ofronte paga çnjerëzore, sot përballen me një indeksim po aq çnjerëzor. Pensionet e tyre reflektojnë një sistem që nuk vlerësoi asnjëherë punën dhe mundin e brezit që sakrifikoi për një të ardhme që nuk erdhi kurrë.
Punësimi informal është një tjetër plagë. Një e treta e punonjësve në Shqipëri mbeten ende jashtë sistemit të sigurimeve. Ky realitet i deformuar e përjashton një masë të gjerë njerëzish nga e drejta për një pleqëri të dinjitetshme.
Migrimi ka çuar gjithashtu në ndërprerje të periudhave të kontributit, duke ulur ndjeshëm aksesin ndaj një pensioni të plotë. Kur punëtorët kthehen nga jashtë, ata përballen me boshllëqe në historikun e sigurimeve dhe përfundojnë me pensione minimale, të pamjaftueshme për të mbijetuar.
Nëse shteti do të bazohej realisht në të dhëna sociale dhe jo në iluzione politike, do të pranonte se pensionet aktuale nuk janë pagesa për punën e kryer, por një dënim për të mbijetuar në moshën e tretë. Shqipëria sot nuk i jep të moshuarve dinjitet, por thjesht një kupon mjerimi mujor.
Në këtë skenar, partitë e mëdha si ajo Socialiste dhe ajo Demokratike, nuk janë zgjidhja, por pjesë e problemit. Të dyja lindën si degë të partisë-mëmë dhe kanë vijuar për 30 vjet trashëgiminë e politikave që, në thelb, janë prodhues të viktimave ekonomike.
Ideologjia që nisi në komunizëm vazhdon edhe sot në mënyra të kamufluara. Me pensione të tejkaluara nga realiteti, vendi vijon të prodhojë skamje – të trashëguar nga një e kaluar që refuzon të shkulet.
Pa një ndryshim rrënjësor në sistemin e sigurimeve dhe rikonceptimin e vlerës së punës së ndershme, Shqipëria do të vazhdojë të ketë të moshuar që jetojnë në kushte më të këqija se të burgosurit. Dhe kjo nuk është më statistikë, por një e vërtetë që ndihet çdo ditë nëpër rrugët e qyteteve e fshatrave të zbrazura nga shpresa.
Në vend të pensioneve, Shqipëria po shpërndan urinë. Një urinë që vjen jo vetëm nga e tashmja, por nga e kaluara që ende dikton politikën dhe ekonominë e ditës.