Një qytetar i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar gjendjen në varrezat e Sharrës, ku sipas tij situata është problematike jo vetëm për shkak të papastërtive, por edhe për mungesën e një planimetrie të qartë të varreve.
Sipas denoncuesit, familjarët që shkojnë për të vizituar të afërmit e tyre përballen me vështirësi për të gjetur dhe për të arritur te varret, deri në atë pikë sa, në mungesë të hapësirave dhe orientimit të duhur, rrezikojnë të shkelin mbi varret e tjera.
Por shqetësimi nuk ndalet këtu. Barishtet dhe mbeturinat duket se kanë pushtuar hapësirat e varrezave, ndërsa qytetari ngre pikëpyetje se kush duhet të kujdeset për pastrimin dhe mirëmbajtjen e këtij vendi.
“Përveç faktit që nuk ka një planimetri të saktë që të na lejojë të vizitojmë të dashurit tanë pa shkelur varret e të tjerëve, është skandaloze situata e papastërtive. Nuk vë askush dorë për të pastruar barishtet dhe plehrat”, shprehet ai.
Një vend që duhet të jetë i mirëmbajtur dhe i denjë për njerëzit që prehen aty, duket se është lënë pas dore. Familjarët kërkojnë që të paktën në vendin ku shkojnë për të kujtuar të dashurit e tyre të mos përballen me papastërti, barishte dhe mungesë organizimi.
“Në Shqipëri, as kur vdes nuk pushon në paqe!”, përfundon qytetari, duke kërkuar ndërhyrje dhe mirëmbajtje të varrezave të Sharrës.