Vau i Dejës në protestë, banorët: S’kemi ambulancë dhe urgjencë

Vau i Dejës në protestë, banorët: S’kemi…

Banorët e Vaut të Dejës kanë protestuar pranë qendrës shëndetësore të qytetit, duke kërkuar përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe garantimin e urgjencës 24 orë. Protesta vjen pas humbjes së jetës së David Dedës dhe Sokol Prekës, të cilët ndërruan jetë pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike në fshatin Karmë. Qytetarët shprehen se mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe e ambulancës përbën një shqetësim serioz për banorët e zonës.

Një prej protestuesve deklaroi se qyteti, me rreth 50 mijë banorë, prej disa muajsh nuk ka ambulancë dhe prej rreth dy muajsh janë hequr edhe mjekët e shërbimit të natës. Sipas tij, në qendrën shëndetësore shërbejnë kryesisht infermierë, ndërsa mjekët janë të pranishëm vetëm gjatë paradites. Ai tha se në rastin e ngjarjes së rëndë në Karmë, ambulancës nga Shkodra iu desh rreth një orë e gjysmë për të mbërritur në vendngjarje.

Protestuesit kërkojnë që qendra shëndetësore e Vaut të Dejës të kthehet në një strukturë urgjence me shërbim 24 orë, mjekë, infermierë dhe ambulancë të dedikuar. Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse dhe drejtuesve të shëndetësisë në Shkodër që të ndërhyjnë për garantimin e shërbimit të urgjencës, duke theksuar se mungesa e tij i lë banorët të pambrojtur në situata emergjente.

“Kjo protestë është në shenjë humbje e dy djemve të rinj të Vau Dejës, nga fatkeqësia e madhe që ndodhi, nga mungesa e shtetit, mungesa e ambulancave, infermierëve, doktorëve e të gjithëve. Kjo qendër shëndetësore është kthyer, domethënë e hoqën të gjitha, është kthyer në një qendër nuk kemi as urgjencë, nuk kemi as ambulancë. Ka 3 muaj që s’ka ambulancë hiç ky qytet. Jemi 50 mijë banorë, 50 e sa mijë banorë, e s’kemi një ambulancë. S’kemi një urgjencë, s’kemi një shërbim doktorësh, nuk kemi doktorë hiç. Bëjnë shërbim doktorët vetëm paraditeve edhe s’ka doktorë hiç. Kjo është mungesa e shtetit, mungesa e institucioneve, e drejtorisë Shkodër e të gjitha të tana. Në mungesë të ambulancës, 1 orë e gjysmë ka bërë ambulanca me ardhë prej Shkodre, me njoftu Shkodra me ardhë ambulanca me shku në vendngjarje. Edhe prej mungesës së ambulancës kanë vdekë edhe çunat e rinj e të tana. Njëri i thotë Shkodrës, tjetri Shkodrës, kjo është mungesa e madhe e shtetit. Ne kërkojmë qendra shëndetësore e Vau Dejës të bëhet urgjencë. Të ketë shërbim 24 orë doktorët. Të ketë shërbime të tjera shtesë, ambulanca, urgjenca, dihet se çfarë shërbimesh ka, se ka mjekët e vet. Ne kërkojmë prej shtetit, prej institucioneve, prej të gjithëve, kërkojmë që kjo të bëhet qendër shëndetësore urgjencë. Ne banorët e Vau Dejës vijmë këtu, janë vetëm infermierët. Mjek nuk ka. Vetëm infermieret çfarë i bëjnë shërbim këtu. Mjek nuk ka, mjeku është vetëm paradite. Mjek s’ka, se ka pasur mjek roje të natës, ka nja një muaj e gjysmë a dy që i kanë heq. Kanë bërë mjek rojet, i kanë heq, janë shfuqizu krejt kjo gjë këtu. Ne jemi veç me infermierë. Infermierja çfarë mund të ndihmojë, çfarë mund të bëjë. Kjo është e keqja jonë,” tha qytetari.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit